Vendgrumbullimi i mbetjeve në Kameras të Fushë-Krujës është përfshirë sërish nga flakët. Sipas autoriteteve, dyshohet se zjarri është i qëllimshëm, pasi flakët kanë përfshirë njëkohësisht të gjithë fushën e mbetjeve dhe dyshohet se është përdorur lëndë djegëse.
Kjo është hera e dytë brenda rreth një muaji që në këtë vendgrumbullim bie zjarr.
Reja e tymit toksik ka mbuluar zonën dhe, në varësi të drejtimit të erës, shtrihet deri në Mamurras dhe Kamëz.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po përpiqen ta mbajnë situatën nën kontroll. Megjithatë, sipas të dhënave nga terreni, zjarri nuk mund të shuhet vetëm me mjetet zjarrfikëse, por kërkohet ndërhyrje me fadroma për kapsulimin e mbetjeve, që konsiderohet mënyra e vetme për shuarjen e tij.


















