Përkeqësohet situata në Kakavijë, radhët shkojnë në 25 km! Qytetarët prej 4 ditësh të bllokuar

15 Gusht 2020, 08:43

Situata e rënduar në pikën kufitare të Kakavijës vijon të përkeqësohet ku ditën e sotme janë shtuar mjetet që presin të kalojnë kufirin duke e çuar radhën deri në 25 kilometra.

Sipas gazetarit të Report Tv, Piro Nase raportohet se vargu i makinave ka arritur deri në fshatin Grapsh  gjatë orëve të natës. Pala greke e ka mbyllur kufirin e saj në orën 22:00, por kjo nuk ka penguar qytetarët t'i drejtohen kufirit për të ikur në territorin grek duke sjellë shtim të makinave që presin për të kaluar dhe përkeqësim të situatës.

Kjo situatë vijon prej 4 ditësh, duke u kthyer në një krizë humanitare, ku qytetarët vijojnë të qëndrojnë në temperatura tepër të lart.

Sipas kufizime të reja që ka vendosur  Greqia pjesë e masave për pandeminë, duke filluar nga 16 gushti, në pikët kufitare të Kakavijës nuk do të mund të kalojnë më shumë se 750 persona, ndërsa nga ajo e Kapshticës 300 persona. Nuk dihet ende se si do të veprohet me radhët e qytetarëve që prej ditësh presin të bllokuar në rrugë.

Ditën e djeshme ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ishte prezente në Kakavijë ku siguroi se qytetarët nuk do u mungojnë nevojat baze, duke sjellë ujë, ushqim, tualete të lëvizshme dhe ekipe mjekësore për tu ardhur në ndihmë.

Përpjekjet e bisedimeve nga Ministria e Jashtme që pala greke të vijonte punën e dhe gjatë natës, përtej orarit 22:00 të përcaktuar nuk arritën në dakordësi. Ora 22:00 e mbrëmjes së djeshme shënoi mbylljen e kufirit nga pala greke për të rinisur punën sot sërish në 06:00. Pala greke arriti vetëm të dërgonte disa ekipe mjekësore më shumë në kufi për të bërë tamponin për të përballuar fluksin e lartë. Gjithashtu u vendos që testimi të bëhej me kampion 1 në 10 makina, në mënyrë që të lehtësohej sa më shumë lëvizja.