KAKAVIJË- Të dehidratuar, pa ushqyer dhe pa kushtet minimale të higjienës, mes temperaturave të larta, prej 3 ditësh qytetarët shqiptarë po qëndrojnë në pritje për të kaluar në Greqi.  

Ditën e sotme, siç shihet në pamjet me dron të sjella nga Report Tv, radha e makinave ka shkuar deri në 20 km, teksa 5 persona, mes tyre të moshuar dhe fëmijë kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe ka ardhur ambulanca për t'i marrë.

Kjo situatë është krijuar për shkak se Greqia ka vënë si kusht bërjen e tamponit për të kaluar kufirin dhe ai mundësohet falas për kategoritë që lejohen të hyjnë. Arsyeja e dytë është se në datën 16 gusht në Greqi hyn në fuqi vendimi se cdo person që hyn në vend duhet të karantinohet 7 ditë dhe qytetarët duan të shkojnë përpara kësaj date duke krijuar radhë të gjata. Arsyeja e tretë është se në Kakavijë ka 2 mjekë të cilët punojnë 12 orë ndërsa numri i lartë i qytetarëve nuk mund të përballohet, pasi identifikimi, marrja e të dhënave dhe bërja e tamponit kërkon kohën e duhur. Arsyeja e katërt është se pala greke është e mbyllur në harkun kohor 22:00-06:00, duke kufizuar një pjesë të madhe të punës.

Pikërisht për këto 4 arsye të sipërpërmendura, vargu i makinave ka shkuar deri në fshatin Jorgucat, në drejtim të Sarandës. Qytetarët shprehen të indinjuar, ku i bëjnë apel shtetit shqiptar për të ndërhyjë, pasi thonë se shumica e tyre kanë ardhur për ripërtëritjen e kartave të identitetit/ pasaportave dhe pak prej tyre për të kaluar pushimet.

Në Kakavijë ka forca të shumta policore që kanë arritur të normalizojnë pak situatën. Por në kufi vetëm dy infermierë po punojnë një herë në 4 orë, pasi ata pushojnë një orë.

Nga autoritetet policore shqiptare të kufirit mësojmë se policia ka qenë e pranishme në Kakavijë për të parë situatën nga afër. Në bisedime me policinë greke kufitare prej tyre është mësuar që e gjithë situata kaotike krijohet vetëm prej personelit të reduktuar të autoriteteve shëndetësore për të bërë tamponin, që është me detyrim për këdo që do të kalojë në Greqi. Pra personeli kufitar është me kapacitet të plotë, por e gjithë radha dhe pritja e gjatë prej ditësh është bërë për shkak të mungesës së personelit mjekësor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:14
Qytetarët bllokohen në Kakavijë, Hajdari: Qeveria të lërë pushimet dhe të zgjidhë urgjentisht këtë situatë

Deputetja Rudina Hajdari është shprehur e shqetësuar për fatin e emigrantëve shqiptarë, të cilat prej tre ditësh po presin në radhë të gjata në pikën kufitare të Kakavijës.

Qytetarët shqiptarë ndodhen në kushtet e vështira të vapës së madhe, mungesës së higjienës dhe ujit të pijshëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajdari i ka bërë thirrje qeverisë që të lërë pushimet dhe deklaratat boshe, por të gjejë një zgjidhje konkrete për këtë situatë. Ajo është ofruar personalisht për t'u angazhuar në zgjidhjen e situatës, përmes bisedimeve me homologë grekë.

Deri në këto momente, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka deklaruar se është në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikën kufitare edhe pas orës 22:00. Ndërkohë që deri tani pala greke ka rritur testimet në 330 në orë, nga 200 testime në orë që ishin më përpara.

"Jam shumë e shqetësuar për fatin e mijëra bashkëqytetarëve të cilët po vuajnë radhët e stërgjata në Kakavijë.

Së pari dua ti bëj thirrje qytetarëve të Gjirokastrës të solidarizohen sa të munden me ata që kanë hall sot, duke dhuruar ujë e ushqime por edhe duke strehuar nëse munden fëmijët e të moshuarit.

Kur qeveria na lë në baltë, duhet të përkrahim fort njëri tjetrin. Së dyti i bëj thirrje qeverisë të lerë pushimet dhe deklaratat boshe por te hidhet urgjent në aksion konkret për të zgjidhur këtë situatë.

Nuk është koha as për plazh e as për deklarata politike. Situata e krijuar po rrezikon jetët e njerëzve. Së pari nga Covid, sepse grumbullimet janë masive dhe të pakontrolluara e së dyti nga temperaturat e larta dhe rreziku i dehidratimit, për shkak se nuk ka mundësi furnizimi me ujë të pijshëm.

Njerëzit kanë hall dhe e kanë urgjent!! Personalisht do të angazhohem në biseda me homologë të Parlamentit Grek për të ndihmuar sadopak në zgjidhjen e situatës", shkruan Rudina Hajdari.

Ora 14:53
Kaosi në Kakavijë/ Burime: Greqia shton numrin e testeve në orë! Do bëhen mbi 400 tamponë

Pas negociatave me autoritet shqiptare, pala greke ka rënë dakord për të rritur numrin e testimeve në orë për qytetarët që duan të hyjnë në Greqi. Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga 100 teste që bëheshin në orë, Greqia ka rritur numrin e tyre duke e çuar në 200. Ndërkohë, referuar po të njëjtave burime brenda ditës së sotme, do të kalojnë 400 tamponë në orë. Kjo vendim vjen me qëllim për të normalizuar situatën e krijuar në Kakavijë, ku qindra qytetarë prej 3 ditësh janë në pritje për të kaluar në tokën greke.

Ora 14:46
Në mes të rrugës nën 40°C/ Policia shpërndan shishe uji për qytetarë që po presin në radhë në Kakavijë (VIDEO)

Policia u ka ardhur në ndihmë qindra qytetarëve që janë prej 3 ditësh në Kakavijë duke pritur kalimin në Greqi. Ata kanë shpërndarë qindra shishe me ujë për drejtuesit e mjeteve, familjarët dhe të afërmit që udhëtojnë me ta, si dhe për pasagjerët e autobusëve që janë në pritje për të udhëtuar në drejtim të shtetit grek.

Gjithashtu, për të normalizuar qarkullimin, për të respektuar radhën dhe për të mos krijuar konfuzion janë aktivizuar edhe grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë në mbështetje të punonjësve të Policisë Rrugore. Ndërkohë, nga ana e drejtuesve të Departamentit të Policisë Kufitare dhe drejtuesve të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë janë marrë e po merren takime të shpeshta me qëllim ndikimin nga ana e Policisë greke të autoriteteve shëndetësore greke për të shtuar personelin me qëllim që të kryhen në kohë më të shpejtë tamponët për COVID-19. Policia u bën apel qytetarëve që të mos dynden drejt Kakavijës, pasi në ditët e ardhshme pala greke do të kufizojë akoma më shumë lëvizjet drejt shtetit grek.

Ora 12:09
Qytetarët apel shtetit: Të flitet me doganën greke që të mos e mbyllin kufirin gjatë natës (VIDEO)

Ndërsa temperaturat shënojnë 40 gradë celsius, situata vështirësohet edhe më shumë për qytetarët që janë lënë në mëshirë të fatit në Kakavijë. Ata shprehen të revoltuar për kamerën e Report Tv, duke bërë thirrje për organet kompetente që kufiri të mos mbyllet gjatë natës.

"Kam ardhur që në 2 të mëngjesit, kemi ecur vetëm 500 metra, policët bënin indiferentin na thoshin që s'kemi ç'të bëjmë", thotë një qytetar.

"Kemi ardhur që në orën 1, s'kemi as ujë për të pirë, kemi nevojë të shkojmë për nevoja personale, s'dimë si t'ia bëjmë", thotë një grua në pikën e kalimit kufitar me Greqinë.

"Kam ardhur që në orën 1 e gjysmë, është shumë keq nuk lëviz fare, se dimë a do të lëvizim apo jo, po presim në mes të vapës", thotë një qytetar tjetër.

Ndërsa një tjetër thotë se ka ardhur me bukë e ujë për 2 ditë. "Kemi ardhur me bukë e ujë për 2 ditë, jemi përgatitur por do e kapim 3-shin, i bëjmë thirrje vendit që të flasin me doganën greke që të mos e mbyllin nga ora 10 deri në 6", thotë ai.

Ora 12:00
Kaosi në Kakavijë/ Nëna me 4 fëmijë në mëshirë të fatit: I kam të vegjël, plasën vape (VIDEO)

Qytetarët po kalojnë momente të vështira duke pritur në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, ndërsa po përballen me vapën dhe mungesën e ujit. Ata shprehen të revoltuar për kamerën e Report Tv. Një ndër ta është edhe një nënë me 4 fëmijët e saj e cila po lufton me vapën në mes të rrugës.

"Gjithë natën kemi këtu, jemi mërzitur shumë, fëmijët plasën vape janë të vegjël, nuk e di a do të kthehemi, kemi gjithë këto harxhime, s'dimë si t'ia bëjmë", tha një nënë e 4 fëmijëve.

Ora 11:54
Kaosi në Kakavijë/ Ministria e Jashtme: Pala greke po shtohet numri i mjekëve

Pas kaosit të krijuar prej 3 ditësh në pikën e kalimit kufitar në Kakvijë, ka reaguar ministria e Jashtme e cila ka bërë me dije se do të shtohen mjekët që bëjnë tamponin. Në deklaratën zyrtare, ministra bën me dije se pala greke ka njoftuar se do të marrë masa të tjera për lehtësimin e situatës deri në heqjen e detyrimit për bërjen e testit.

"Me qëllim përballimin e situatës dhe lehtësimin e lëvizjes që qytetarëve shqiptarë janë kontaktuar në vijimësi autoritetet greke të cilët kanë shtuar personelin shëndetësor në Pikën Kufitare të Kakavijës. Së fundi pala greke ka njoftuar se do të marrë masa të tjera për lehtësimin e situatës deri në heqjen e detyrimit për bërjen e testit. Risjellim në vëmendje se shtetasit shqiptarë mund ta kryejnë testin edhe në institucionet e licencuara shqiptare dhe ta përkthejnë përgjigjen në anglisht. Ky testim njihet edhe nga autoritetet greke dhe do ta lehtësonte më shumë situatën", njofton Ministria.

Ora 11:26
3 ditë në Kakavijë/ Qytetarët bllokojnë me gurë hyrjen për në Shqipëri (VIDEO)

Të revoltuar pasi prej 3 ditësh po qëndrojnë në pikën kufitare të kalimit në Kakavijë për të kaluar në Greqi, qytetarët kanë zgjedhur që të bllokojnë rrugën për të gjithë ata që vijnë nga Greqia për në Shqipëri. Si pasojë e zemërimit për situatën e krijuar, qytetarët kanë marrë këtë vendim, pasi nuk po gjejnë asnjë zgjidhje për problemin e tyre.

1597397290_bllokohetrrugamegure.jpg

Ora 11:23
Qytetari në Kakavijë: Një 13-vjeçare iku me urgjencë në spital, nuk e lanë as të kalonte (VIDEO)

Qytetarët janë të lodhur dhe të revoltuar në pritjen 3-ditore ne Kakvijë për të kaluar në Greqi. Njëri prej tyre tha se një 13-vjeçare iku me urgjencë në spital dhe nuk e lanë as të kalonte në kufi, pasi gjendja e saj u përkeqësua nga vapa e lodhja. Gjithashtu edhe dy të moshuar janë larguar me ambulancë në spitalin e Gjirokastrës për shkak të vapës së madhe.

Ora 11:20
Në kulmin e krizës në Kakavijë, ministri Gent Cakaj fik telefonin (VIDEO)

Teksa në Kakavijë situata paraqitet kaotike, me qytetarë që po vuajnë mes temperaturave të larta, mungesës së ujit të pijshëm dhe të higjienës, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj është "zhdukur". Report Tv tentoi që të kontaktonte me ministrin, por celulari i tij rezulton i fikur. Në kulmin e krizës, ministri mbyll telefonin, duke mos iu gjendur pranë qytetarëve që prej 3 ditësh po qëndrojnë në pritje në pikën kufitare të kalimit në Kakavijë.

Ora 11:18
Qytetarët në Kakvijë kalojnë momente të vështira në mes të rrugës, nën 40°C nuk kanë as ujë për të pirë

Qindra qytetarë shqiptarë apo të huaj që kanë ngecur në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë po kalojnë momente të vështira, ku po përballen me 38 deri në 40 gradë celsius, por edhe mungesë të lëngut jetësor, ujit.

Ora 10:19
Pamje me dron nga kaosi i krijuar në Kakavijë, qytetarët presin prej 3 ditësh për të shkuar në Greqi

Pamje me dron të siguruara nga Report Tv tregojnë vargun e makinave prej 20 kilometrash nga Kakavija deri në Gjirokastër të qytetarëve që kanë 3 ditë që presin për të bërë tamponin e detyruar për të shkuar në Greqi.

Ora 09:03
Radha në doganë/ Përkeqësohet gjendja shëndetësore e një qytetareje

1597393376_rradha.jpg

Gjendja shëndetësore e një qytetareje në Kakavijë është rënduar. Burime për Report Tv bëjnë me dije se prej mbrëmjes së djeshme ajo ka shfaqur probleme shëndetësore. Qytetarët prej 3 ditësh po qëndrojnë në radhë në pritje për të kaluar drejt Greqisë, mes temperaturave të larta, diellit të fortë, por edhe gjatë natës.  

Ora 09:00
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi: Parësore shtresat vunerabël, të kalojnë menjëherë kufirin

Për situatën e pazakontë të krijuar në pikën kufitare të Kakavijës, ka reaguar edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili i bën thirrje ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme të marrin masa të menjëhershme për kategoritë më vunerabël që prej ditësh presin në radhë për të kaluar drejt Greqisë.

"Radhët e gjata, temperaturat e larta dhe mungesën e shërbimeve të higjienës e ndjejnë më shumë të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, si dhe njerëzit me probleme me shëndetin" shprehet Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku shton se "këto shtresa duhet të jenë në fokus parësor të autoriteteve për të kaluar menjëherë kufirin".

Grumbullimi dhe qëndrimi i gjatë në rrugë rrit shanset për t'u prekur nga COVID-19 dhe për këtë komisioneri kërkon që ministritë të ndërmjetësojnë me autoritetet greke për rritjen e numrit të personave që kalojnë kufirin.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerëson rëndësinë e masave pozitive të përkohshme, në përputhje me protokollet e OBSH për luftimin e pandemie COVID19, për të gjetur një pikë mirëkuptimi me qytetarët dhe autoritetet.