Radha në Kakavijë/ Zv. ministri i Jashtëm për Report Tv: Greqia po diskuton të heqë tamponin për të gjithë dhe të bëhet vetëm me kampion, 1 në 10 makina

TIRANË- Pas 3 ditëve kaotike në Kakavijë, kur situata mori përmasa alarmante, Greqia po diskuton të heqë tamponin pët të gjithë dhe të bëhet vetëm me kampion, 1 në 10 makina.Lajmi është dhënë ekskluzivisht për Report Tv nga zv. ministri i jashtëm, Agron Tare.

"Në këto momente është hapur kufiri dhe po kalojnë qytetarë, se ishte bllokuar. Kjo situatë është në të gjithë botën, janë kushte të sigurisë, jo se grekët kanë bllokuar. Ministria e Brendshme greke është në debat me ministrinë e Brendshme për të lehtësuar kalimin e udhëtarëve në Kakavijë. Deri tani ka qenë e bllokuar, se mjekët grek kanë pasur probleme, logjistike dhe materiale, nuk kanë pasur tamponë. Tani do hapet, do kalojnë me tampon, po autoritetet greke po diskutojne që të hiqet tamponi dhe ta bëjnë me random, pra me kampion, jo të gjithë, por disa do e bëjnë testin. Që t'ua bëj më të thjeshtë, nëse kalojmë 100 makina, ata mund te zghjedhin qe 10 qytetarë mund t'u bëhet tamponi, të tjerëve jo. Kjo situatë po diskutohet si mundesi, ndoshta do jetë nga sot, pastaj në varësi të shifrave do shihet, se mund të mbyyllet fare kufiri nëse ka raste të reja shumë", tha Tare.

Tare ka vënë theksin se ky është një problem me të cilat po përballen shumë shtete në botë, për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e COVID, teksa ka sqaruar se bashkëpunimi me palën greke ka qenë në nivele maksimale. Ndërkohë, ka pasur një apel për qytetarët që të informohen për gjendjen në kufi, përpara se të udhëtojnë.

"Në këtë rast bashkëpunimi me palën greke ka qenë maksimal dhe me përfaqësitë diplomatike. Nga pala greke, nuk kemi ankesa duke parë situatën. Çdo shtet ka të drejtë që të marra masat e nevojshme. Kush udhëton duhet të mendohen mirë para se të udhëtojnë në këto kohë. Duhet dhe një bashkëpunim me qytetarët. Që nëse marrin vendimin për të udhëtuar, të informohen", tha ai.

Pyetur nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, për një tjetër problem, atë pajisjen e qytetarëve me dokumente identifikimi, ai ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve. Sipas tij për pak javë çdo gjë do t'i rikthehet normalitetit.

"Qytetarët duhet ta kuptojnë. Në 2009 u bë liberalizimi i vizave dhe i pasaportave biometrike dhe përkon afatin 10- vjeçar dhe fluksi është i madh, e kemi pasur problem që në janar, nuk është i tanishëm, për shumë arsye, t'ua bëjmë qejfin qytetarëve, ndoshta edhe për korrupsion dhe për paaftësi të stafit. Se qytetarët e dëgjojnë dhe akuzojnë. Nga data 28 korrik deri në 12 gusht 4000 mijë pasaporta në Athinë.  Nga janari në korrik janë bërë 14 mijë pasaporta. Duhet ta kuptojnë me këto shifra se me çfarë ritmesh po punohet. Në ambasadë në Athinë po i respektojmë masat në elasticitet të mundshëm, por të respektoheshin më shumë do ishte radha më e gjatë", përfundoi Tare.  

Intervista e plotë me zëvendësministrin e jashtëm, Agron Tare

Zoti zëvendësministër, cilat janë zhvillimet më të fundit nga komunikimet me palën greke apo lajmi i mirë që mund të përcjellim?

Konsulli ynë i përgjithshëm në Janinë ndodhet në Kakavijë që në mëngjes. Sapo kontaktuam në telefon. Besoj se në këto momente që po flasim është hapur kufiri dhe po kalojnë qytetarët, pasi ishte bllokuar. Qytetarëve duhet tu shpjegoj diçka që ata ta kuptojnë, që kjo situatë është në të gjithë botën. Janë kushte të sigurisë që shteti grek i vendos. Me gjithë autoritetin e mirë që kanë edhe autoritetet greke, nuk jemi në rastet shabllone kur grekët kanë bllokuar kufirin dhe rëndom ka pasur akuza. Në këtë rast edhe autoritetet greke duhen mirëkuptuar. Tani që po flasim, Ministria e Brendshme e Greqisë është në debat me Ministrinë e Shëndetësisë së Greqisë për të lehtësuar kalimin e udhëtarëve në Kakavijë.

Në çkuptim është hapur kufiri? Nuk do të jetë më kushti i tamponit?

Ka qenë i bllokuar, pasi ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë së Greqisë që bëjnë tamponin në pikën kufitare kanë pasur problemet e tyre, probleme logjistike dhe materiale, nuk kanë pasur tampone, me sa na informon Konsulli i Përgjithshëm. Para se të fillonim intervistën, unë kontaktova me të dhe më tha që tani do të hapet dhe do të kalojnë me tampon, por po diskutohet që të hiqet tamponi. Pra, autoritetet greke po diskutojnë midis tyre që të heqin tamponin dhe ta bëjnë kalimin me kontroll rendom, pra me kampion. Jo të gjithë, por disa, kë vendosin ata për tu bërë testin. Pjesa tjetër do të lejohet.

A mund të parandalohej kjo?

Masat bëhen publike edhe nga autoritetet greke në kohë reale. Qytetarët kur nisen, duhet që të informohen, sepse e dinë që jemi në një kohë të jashtëzakonshme. Nuk jemi në një kohë të zakonshme dhe papritmas u mor kjo masë. Dhe ne shohim që masat ndryshojnë çdo ditë, në çdo shtet. Ndryshojnë edhe me orë, siç ka ndodhur edhe në shtetin tonë, që kemi marrë masa dhe pas 3 orësh del një vendim i ri, i cili ndryshon çdo gjë. Pra në këtë rast duket mirëkuptuar edhe pala greke.

Për ta shpjeguar edhe një herë, pra tamponi nuk do të hiqet në masën 100%, por do të jetë tampon me kampion.

Ta shpjegoj pak më thjeshtë, në qoftë se do të kalojnë 100 makina, ata mund të zgjedhin që 10 makina ose 10 qytetarëve tu bëjnë tamponin dhe 90 të tjerë do të kalojnë pa e bërë tamponin.

Dhe kjo do të jetë nga ky moment, apo nga sot e në vazhdim?

Nga sot e në vazhdim. Tani, varet se si janë shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë së Greqisë nesër e pasnesër. Nëse përkeqësohet gjendja, ndoshta edhe mbyllet fare, pra përshkallëzohet në regres. Në qoftë se gjendja ecën mirë, në progres, mund të bëhet edhe më e lirë. Ne po e shohim që zhvillimet ndodhin me javë ose me muaj, pra një herë lirohen masat e një herë shtrëngohen.

Pra këtë situatë e kemi vetëm në pikën kufitare me Greqinë.

Po, sepse vetëm me Greqinë e kemi këtë fluks të madh të lëvizjes së njerëzve.

Qytetarët janë shprehur se jo të gjithë kanë ardhur në Shqipëri për turizëm. Shumica e tyre kanë ardhur për mjetet e identifikimit. Çfarë ka ndodhur? Përse u krijua kjo situatë?

I gjithë opinioni publik e mban mend që në vitet 2009-2010 u bë liberalizimi i vizave, pra edhe i pasaportave biometrike. Dhe këtë vit, pra më 2020, përkon afati 10-vjeçar i tyre, kështu që fluksi i qytetarëve është i madh. Ne e kemi pasur problem që në muajin janar, nuk është problem i tanishëm, për shumë arsye. Ne kemi marrë masat tona dhe që nga data 28 korrik deri në datën 12 gusht kemi bërë 4 000 pasaporta vetëm në Athinë. Kurse nga muaji janar deri në muajin korrik kemi bërë 14 000 pasaporta. Pra, vetëm nga këto shifra qytetarët duhet ta kuptojnë se me çfarë ritmesh po punohet dhe brenda 2 muajve kjo gjendje do të qetësohet. Por çdo gjë do kohën e vet, duke pasur parasysh edhe masat e situatës ku ndodhemi. Në ambasadën tonë në Athinë po i respektojmë masat anticovid në mënyrën më elastike të mundshme. Nëse do ti respektonim masat në masën 100%, radha e qytetarëve do të ishte edhe më e gjatë.

Dihej që pasaportat e vitit 2009 do të skadonin më 2019. Qeveria ka nxjerrë një vendim me të cilin ka zgjatur afatin e përdorimit të tyre, por pala greke nuk e njeh këtë.

Jo. Edhe këtë çështje dua ta sqaroj. Ne e morëm këtë vendim duke e konsideruar pasaportën si titull udhëtimi, pra qytetari të kthehej me pasaportë të skaduar. Ndërsa për sa u përket veprimeve të ndryshme në zyrat e institucioneve greke, ne i kemi bërë një notë verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, por në këtë situatë ka raste që nuk njihen pasaportat sidomos nëpër banka. Por kryesisht vendimi ka qenë për tu mundësuar udhëtimin qytetarëve dhe kjo gjë duhet kuptuar.

Cili ka qenë kontakti juaj gjatë këtyre ditëve me palën greke? Sa mund të zgjidhë diplomacia në këtë situatë sepse vërtet masat anticovid dhe gjendja ekonomike janë faktorë që ndikojnë, por kemi edhe anën njerëzore të atyre njerëzve që qëndrojnë shumë gjatë atje.

Unë ju garantoj që, në këtë rast, bashkëpunimi me palën greke ka qenë maksimal. Përfaqësitë tona diplomatike në Athinë dhe në Shqipëri, edhe në kryeministri, janë në kontakt të vazhdueshëm. Nga pala greke ne nuk kemi pasur ankesa duke parë situatën, sepse situata është problemi i rrezikut të shëndetit në Greqi. Pra çdo shtet ka të drejtën që të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët e tij. Nuk kemi vetëm qytetarë shqiptarë që udhëtojnë dhe të gjithë duhet të mendohen mirë para se të udhëtojnë në këto kohë. E dinë mirë se po udhëtuan në këto kohë, do të kenë këto probleme. Pra, duhet një bashkëpunim midis palëve. Edhe vetë qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm që nëse udhëtojnë, do të përballen me një sërë vështirësish. Nëse marrin vendimin për të udhëtuar, duhet që të informohen shumë mirë. Informacioni nuk merret vetëm nga burimet zyrtare. Informacioni merret edhe nga mediet, nga interneti, nga burimet zyrtare të shtetit ku do të udhëtojnë, dhe sipas informacionit merret edhe vendimi për të udhëtuar ose jo.

Ato pamje që ne kemi transmetuar me dhe pa dron, do të jenë deri nesër? Çfarë parashikoni ju? Çfarë mund të na thoni?

Në qoftë se tani ka filluar të hapet, edhe logjistika aq është, d.m.th. edhe rruga atë sipërfaqe ka, ato parametra ka. Patjetër që vargu i gjatë do të lehtësohet dhe do të përmirësohet. Në qoftë se autoritetet greke marrin përsipër që të heqin tamponin e detyrueshëm për çdo makinë, patjetër që deri nesër nuk do të jetë më ajo radhë.

Zoti zëvendësministër, ju falënderoj duke shpresuar që kjo situatë nuk do të përsëritet më.

Unë kërkoj edhe nga mediet që, sidomos në këtë situatë, të jemi shumë bashkëpunues. Ne duhet të jemi në dispozicion të qytetarëve.

Në datën 16 gusht Greqia fillon zbatimin e një mase tjetër, atë të karantinimit për 7 ditë. Çfarë u këshilloni shqiptarëve në këtë situatë?

Në momentin kur qeveria greke merr një vendim për karantinim të detyruar dhe mediet, sepse ju jeni më të fuqishme se ne sepse raportoni lajmet çdo ditë dhe besoj se qytetarët janë të informuar për këtë, patjetër që Ministria e Jashtme e Shqipërisë do të nxjerrë njoftimin zyrtar, që përcillet edhe nëpërmjet jush. Gjithashtu ju e përcillni informacionin edhe kur e merrni nga pala greke. Pra, informacioni është dhe qytetarët duhet të mendohen shumë mirë para se të udhëtojnë në këto kohë, sepse janë masa që nuk varen nga ne, ashtu siç nuk ka të bëjë shteti grek për masat që merr shteti ynë. Në radhë të parë qëndron shëndeti i qytetarëve.

B.K./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase