TIRANË- Gjykata e Kavajës caktoi sot masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj për Marsida Qatjan, e cila tashmë është nën akuzë për përshtatje të ambienteve për përdorim të lëndëve narkotike. E njëjta masë sigurie u kërkua edhe organi i akuzës, me arsyetimin se Marsida ka një fëmijë vetëm 2 vjeç, e që duhet ta ushqejë me gji.
Marsida Qatja u mor nën hetim nga Prokuroria e Kavajës, pas ngjarjes së ndodhur brenda në banesën e saj, ku mbeti i vrarë Dritan Haxholli dhe u plagos oficeri i burgjeve, Bledar Toçi.
30-vjeçarja Qatja, nënë e tre fëmijëve nga dy martesat e saj, u rimor disa herë në pyetje për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik, e ndërsa dëshmitë e së resë kanë qenë kontradiktore. Pas ngjarjes, hetuesit gjetën në banesën e saj mbetje të lëndës narkotike të dyshuar kokainë, fakt ky që më pas është pohuar edhe nga vetë Marsida, e cila deklaroi në polici se së bashku me mikun e saj e kishin konsumuar këtë lëndë në banesë para se të ndodhte ngjarja.
Në seancën e sotme, gjykata vendosi që Qatjas t’i bllokohet pasaporta në mënyrë që mos largohet nga Shqipëria, pasi burri i saj i dytë ndodhet në burg në Gjermani, shtet ky ku Qatja shkonte çdo muaj.
Ndërkohë, nga ana tjetër, mësohet se Drejtoria e Shërbimit Social në Bashkinë e Kavajës ka vendosur që kujdestaria e fëmijës dy vjeçar, i cili ishte në banesë kur ndodhi ngjarja, të jetë në kujdestari të Marsidës dhe prindërve të kësaj të fundit ku Mardisa ka shkuar të jetojë. Ndërsa dy fëmijët e tjerë, do të vijojnë të qëndrojnë me familjen e babait të tyre, me të cilin Marsida Qatja është divorcuar prej vitesh. Për vrasjen e Dritan Haxhollit, i cili qëlloi me një plumb kallashnikovi Bledar Toçi, policia arrestoi këtë të fundit me akuzën e vrasjes me dashje, e ndërsa vëllai i tij Benard Toçi me akuzën e shitjes së lëndës narkotike.