Pika e re kufitare, kryeministri i Malit të Zi: Konfirmim i forcimit të lidhjeve tona! Pa njëri-tjetrin nuk mundemi, bashkë mund të bëjmë shumë

3 Gusht 2021, 15:50

I pranishëm në Grabom të Malësisë së Madhe, ku u hap pika e re kufitare, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq tha se kjo konfirmon forcimin e lidhjeve mes dy vendeve. Krivokapiq e vuri theksin te bashkëpunimi, ndërsa tha se vendet nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, pro se bashkë mund të bëjnë shumë.

“Kam kënaqësi të veçantë të marrë pjesë në këtë eveniment solemn, në hapjen e pikës së dytë kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Më kujtohet shumë mirë kur kemi pasur një kufi të hekurt, një perde të hekurt mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Pikërisht këto kazerma dhe bunkerë që kemi pas këtu, të bënim të ndjeheshe sikur po jetonim në dy planetë të ndarë, pa komunikim. Falë përpjekjeve tona të përbashkëta në drejtim të BE, tashmë kemi këto pika kufitare moderne që dëshmojnë mbi besimin mes dy vendeve tona dhe i lejojnë qytetarëve të kalojnë lirshëm, pa pritur dhe pa humbur kohë në këto pika kufitare. Ky eveniment sot dëshmon për marrëdhëniet mes dy vendeve tanë, premtimi që bëhet duhet të mbahet. Besa e dhënë në Shqipëri dhe fjala në Mal të Zi, nuk ka kërkuar vulë, por gjithmonë është respektuar. Rruga jonë e vetme është ajo drejt BE. Kjo është edhe konfirmim i forcimit ët lidhjeve tona, të realizimit të potencialeve të këtyre vendeve. Pa njëri-tjetrin nuk mundemi dhe bashkë mund të bëjmë shumë”, tha ai.

  •