17 vjeçari polak Maciej Domagala është fituesi i çmimit të edicionit të parë të Konkursit Ndërkombëtar “J’adore Chopin” (Unë e adhuroj Shopenin), i cili ka ulur siparin mbrëmjen e së enjtes në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Një natë finale plot surpriza, me pejsëmarrjen e qindra pianistëve të rinj nga Shqipëria dhe e gjithë bota.
“Juria ka mbetur në përgjithësi e kënaqur. Mendoj që shërben për të kuptuar më mirë shpirtin e interpretimit të një muzike që është evropiane, që është botërore, që festohet në të gjithë botën. Të merresh me një nivel të lartë të muzikës, sigurisht që u bën mirë të gjithëve: ky ballafaqim, këto vlerësime, që bën një juri, ku shumica e tyre vijnë për herë të parë në Shqipëri dhe shikojnë nivelin e shkollës sonë. Mendoj që edicionet e saj shërbejnë për të rritur nivelin më tepër dhe për të qenë më dinjitozë me talentet tona, që nuk i mungojnë Shqipërisë.”, - thotë Zhani Ciko, ideator dhe drejtues i “J’adore Chopin”
Mes çmimeve të ndara vlen të përmendim edhe çmimin e dytë dhe atë të tretë, përkatësisht Ilaria Picci dhe Giulia Loperfido, që vijnë nga Italia. Ndër pjesëmarrësit më të vegjël në moshë në këtë konkurs ishte ajo e 8-vjeçarit japonez, Ei Fujimori, i cili u vlerësua me çmimin e parë të Kategorisë së Parë.




















