Policia bën 'bilancin', 168 janë arrestuar për një javë, 274 të vënë nën hetim! Të gjitha operacionet e zhvilluara

16 Tetor 2022, 09:52

Të gjitha strukturat në terren, të angazhuara 24/7, me mjete të logjistikës bashkëkohore, për të parandaluar e goditur krimin dhe paligjshmëritë, si dhe për të zbardhur ngjarjet kriminale të ndodhura më parë.

4 megaoperacione policore të finalizuara gjatë kësaj jave nga DVP-të Lezhë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë.

-Finalizimi i megaoperacionit “Pritja”, pas një periudhe intensive hetimore, zbardh vrasjen e një 16-vjeçari, të ndodhur në Kurbin, në vitin 2015.

-192.5 kg kanabis, 456 bimë kanabisi të sekuestruara, si dhe 26 shtetas të vënë në pranga, në kuadër të megaoperacionit “Qarku”, të zhvilluar në 5 faza.

-Arsenal armësh, shuma të mëdha parash, 3.6 kg kanabis dhe bimë opiumi, të sekuestruara 2 shtetasve të arrestuar si rezultat i megaoperacionit “Dëshiran”.

-1287 lloje të ndryshme medikamentesh të kontrabanduara, të gjetura në farmacinë dhe në banesën e 2 bashkëshortëve të arrestuar dhe të të sekuestruara në kuadër të megaoperacionit “Storage”.

Bashkëpunim intensiv me partnerët, për goditjen e krimeve ndërkombëtare, si dhe për kapjen e të kërkuarve ndërkombëtarisht.

-Operacioni ndërkombëtar i përbashkët me policinë turke “Përtej kufijve”, finalizohet me sekuestrimin e armëve të zjarrit, sasive të drogave të ndryshme dhe bimëve narkotike.

-Koordinimi i Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese amerikane vë në pranga një shtetas indian, të shumëkërkuar nga SHBA-ja, për trafik narkotikësh.

-Sekuestrohen në Tiranë, pasuri me vlerë 5 milionë euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, si dhe sekuestrohen në Fier, 18 380 euro, të dyshuara të përfituara nga shitja e narkotikëve.

Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar 471 shtetas, nga këta: 168 janë arrestuar, 274 janë proceduar penalisht dhe 29 janë shpallur në kërkim. 

Janë lokalizuar dhe kapur 33 shtetas në kërkim, nga të cilët 32 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.

Janë finalizuar në total 33 operacione dhe megaoperacione policore, për goditjen e paligjshmërive në fusha të ndryshme.

Në fushën e narkotikëve janë realizuar një sërë goditjesh, operacionesh dhe megaoperacionesh policore në të gjithë vendin. Si rezultat i tyre janë sekuestruar rreth 206 kg kanabis, 456 bimë kanabisi, 75 bimë opiumi, doza kokaine/heroine dhe janë vënë në pranga 43 shtetas.

Edhe në fushën e armëmbajtjes pa leje janë finalizuar operacione dhe megaoperacione  policore. Janë sekuestruar 12 armë zjarri, 1 silenciator, krehra armësh, municion luftarak, 7 granata, 6 armë gjahu, 1 armë sportive e 3 thika, si dhe janë vënë në pranga 13 shtetas, si posedues të tyre.

Gjithashtu, megaoperacione dhe operacione policore janë zhvilluar për goditjen e kontrabandës, në Tiranë dhe në Vlorë. 6 shtetas në pranga, 1287 lloje të ndryshme medikamentesh të kontrabanduara dhe 86 celularë të kontrabanduar, të sekuestruara në total.

Dhjetëra raste të vënies përmes celularëve të basteve sportive, të goditura në çdo qark të vendit. 23 shtetas të vënë në pranga për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Janë goditur dhe zbardhur nga DVP-të Tiranë, Durrës, Gjirokastër dhe Elbasan, një sërë vjedhjesh, autorët e dyshuar të tyre të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, si dhe 18 videoprojektorë e sende të tjera të vjedhura, janë gjetur dhe janë sekuestruar.