Prokuroria përfundon hetimet për Merviol Bilon, akuzohet për plagosje në kapërcim të vetëmbrojtjes

21 Dhjetor 2020, 16:39

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për Merviol Bilon, kur kanë kaluar 2 vjet nga masakra e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut, në lokalin “Monopol”, ku mbeti i vrarë, Fabiol Gaxha dhe i plagosur rëndë Elion Hato dhe biznesmeni Ervis Martinaj.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta thotë se ndaj Bilos është ngritur akuza e plagosjes së rëndë në kapërcim të kufinjve të mbrojtjes së nevojshme ndaj Elion Hatos. Pushimi i akuzës për vrasjen e Fabiol Gaxhës bëhet sepse argumentohet se ka qenë në kushtet e mbrojtjes ekstreme. Kjo akuzë nuk ka një marzh dënimi deri në 7 vite. Sipas prokurorisë tashmë është e faktuar se ish-komandos i është rrezikuar jeta natë e ngjarjes në ish- bllok. Ndërkohë Redi Popesku, Geldi Hoti Licaj,  Ervin Mata, Ajax Boshnjaku dhe Fabio Allushi janë nën akuzë për moskallëzim krimi.

Që ka dita e ngjarjes e deri më sot Merviol Bilo, është shpallur në kërkim dhe sot e kësaj dite ende nuk është arrestuar nga policia e Tiranës. Bilo, është kushëriri i parë i këngëtares Elvana Gjata, dhe se ditën e ngjarjes Bilo, ka qenë nën shoqërinë e të dashurit të Elvanës, Ervin Mata. 

Ndaj Bilos më herët ishin ngritur akuza e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një ose më shumë personave” në dëm të Fabiol Gaxha, “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një ose më shumë personave” mbetur në tentativë, ndaj biznesmenit Ervis Martinajt dhe mikut të tij Elion Hato. Hato, mori një plumb dhe disa të tjerë në trup, ndërsa Martinaj në u plagos në pjesën e qafës. Një tjetër akuzë që është ngritur ndaj Bilos, është ajo e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.

Biznesmeni, Ervis Martinaj, i cili fillimisht në këtë dosje është hetuar dhe mbajtur për 7 muaj në burg me akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë, por prokuroria e Tiranës, në konkluzionin përfundimtar të dërgimit të dosjes në gjykatë, ka ngritur ndaj Martinaj akuzën e “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve për vrasje”.

Kurse Ervin Mata u vetëdorëzua rreth një vit më parë, ndërsa u la i lirë nga Shkalla e Parë, masë e konfirmuar edhe nga Apeli. Prokurorët e dosjes ankimuan vendimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar burg për 32-vjeçarin, por Gjykata Apelit rrëzoi kërkesën e Prokurorisë, duke e lënë në detyrim paraqitje. Sipas Prokurorisë Bilo, truprojë i Ervin Matës, nuk kishte asnjë konflikt të drejtpërdrejtë me viktimën Fabiol Gaxha, dhe të gjitha veprimet e Billos kanë qenë të ndikuara nga Mata.