TIRANË- Partia Socialiste është vënë në lëvizje dhe i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit zhbërjen e formulës së barazisë për Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale. Socialistët e kanë dërguar kërkesën e tyre në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, pas bojkotit të Partisë Demokratike. Anëtarët e PS thonë se që prej krijimit të Komisionit më datë 27.10.2025, vetëm një mbledhje, nga katër, është zhvilluar me praninë e opozitës.
Duke qenë se vendi ndodhet para zgjedhjeve vendore të 2027-ës dhe afati për punimet e këtij komisioni është vetëm 9 muaj, socialistët kërkojnë që të marrin drejtimin dhe shumicën e komisionit. Ata propozojnë që të shtohet një anëtar nga radhët e PS dhe në total shkojnë 17 anëtarë, 9 mazhoranca (nga 8 që ka aktualisht), 6 PD, 1 Grupi Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 Partia e Lirisë.
Po ashtu, duan të marrin drejtimin e komisionit me Arbian Maznikun duke i hequr të drejtën e vetos demokratëve. Pra, Luçiano Boçi të mos jetë më bashkëkryetar, por nënkryetar.


















