PS pranon kushtin e Hajdarit për sistemin zgjedhor! OSBE 'ndërmjetësues' mes PD-LSI dhe mazhorancës

24 Tetor 2019, 15:20

TIRANE-Partia Socialiste ka dhënë miratimin duke pranuar që të diskutojë në Komisionin e Reformës Zgjedhore cështjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor, që është kusht i panegociueshëm nga opozita e re, por edhe propozimet e PD-së përmes OSBE-së. Mbledhje e sotme e komisionit zgjati për rreth dy orë dhe në përfundim, Rudina Hajdari, që është bashkë-kryetare nga opozita në Kuvend deklaroi se nuk do ta pranojë që të votojë as në parim asnjë draft qoftë edhe për cështje dytësore nëse nuk ecën gjithcka në paralel me diskutimet për ndryshimin e sistemit.

"Jemi akoma në fazën e diskutimit dhe unë nuk do të miratoj në asnjë moment asgjë, as në parim, deri kur të kemi një propozim konkret për ndryshimin e sistemit" tha ajo. Përballë kësaj situate, bashkë-kryetari socialist, Damian Gjiknuri u shpreh se në mbledhje u ra dakord duke pranuar që opozita e re të sillte propozimet për ndryshimin e sistemit për t'u diskutuar.

Ka dallime për qasjen për reformën zgjedhore, që opozita parlamentare insiston të mos miratohet reforma pa sistemin, ne kemi rënë dakord të vijnë me një propozim dhe të diskutohet. Nëse kemi një konsensus edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor pse jo duke marrë parasysh edhe opinione që vijnë nga opozita jashtë parlamentare do të bëjmë çmos që të realizohet brenda dhjetorit, por mendimi jonë është që nuk kemi pse të mbajmë peng rekomandimet e OSBE-së" tha ai.

Paralelisht me komisionin e posaçëm në kryesinë e Kuvendit, PD-ja me aleatët organizuan një tryezë të nivelit politiko-teknike në përfundim të së cilës Gazment Bardhi tha se opozita po përgatit draftin e saj me propozimet, dhe që sipas burimeve të Report Tv do i dërgohet PS-së përmes OSBE-së.

Gjiknuri deklaroi se është i hapur që të mirëpresë propozimet e PD-së përmes ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri duke shpresuar që në fund të arrijnë një produkt final. “Nëse ata do të përgatisin draftin e tyre duke ia dhënë OSBE-së, ne do të kemi mundësi ta marrim dhe ta trajtojmë, meqë ata kanë kompleks për t’u ulur me ne dhe mund të jetë një mënyrë e mirë. Por propozimet të jenë sipas rekomandimeve të OSBE-së antyrshëm do i marrim parasysh" tha ai.

Përsa i përket draftit të pjesshëm që doli dje në media nga komisioni i reformës vetëm për cështjen e financimit të partive dhe barazisë gjinore, Hajdari tha se 'Dua të theksoj se ky draft është paraprak dhe ishte për të na prezantuar ne, cfarë rekomandojnë ekspertët për rekomandimet e OSBE-së, ishin të pjesshme. Ky draft prek disa gjëra sipërfaqësore, nxit barazinë gjinore, merret me financimin e fushatave, fondet e buxhetit për partitë dhe vakancat në listat zgjedhore. Këtu nuk prekin cështjen parimore të opozitës' tha ajo.

Në mbledhjen e sotme të komisionit të reformës zgjedhore u miratuan grupet e punës, teksa nga tre u shtua edhe një duke u bërë katër, ndërsa Rudina Hajdari është pjesë e ekipit që do të diskutojë për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Kryeministri Rama ka deklaruar se reforma do të miratohet me dy faza, e para në dhjetor do të kalojë vetëm me rekomandimet e OSBE-së, ndërsa më pas do të diskutohet në fazën e dytë për sistemin, por pas kushtit të opozitës së re, Gjiknuri sot la një derë të hapur duke thënë se pret propozimet për t'i diskutime edhe për sistemin.

4 grupet e punës 
Komisioni i reformës zgjedhore miratoi në mbledhjen e sotme 4 grupet e punës por me një ndryshim, pasi në grupin për sistemin do të jenë me 6 anëtarë, ku shtohet edhe Rudina Hajadri, ndërsa shtohet edhe një grup pune, ai i barazisë gjinore.

1. Sistemi zgjedhor:
Damian Gjiknuri
Bashkim Fino
Myslim Murrizi
Rudina Hajdari
Ralf gjoni
Pritet të shtohet edhe një nga PS

2. Financimi i partive politike:
Blerina Gjylameti & Klotilda Ferhati 
Arben Elezi & Nimet Musai

3. Emigrantët:
Alket Hyseni & Adnor Shameti
Korab Lita & Adriatik Alimadhi

4. Barazinë gjinore
Vasilika Hysi
Pritet të caktohen edhe 3 anëtarët e tjerë