14 ndryshimet e plota në Kodin Zgjedhor (si ishin dhe si bëhen)

14  ndryshimet e plota në Kodin Zgjedhor (si ishin dhe si bëhen)

Foto ilustruese

Report TV zbardhi draftin e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për cështjet e financimin e partive dhe barazinë gjinore. Një nga ndryshimet kryesore është pika ku u ndalohet donatorëve të partive politike në fushatat zgjedhore që të përfitojnë kontrata publike apo si nënkontraktorë për 3 vite ose në cdo mënyrë tjetër fonde që tejkalojnë 10 mln lekë. Më poshtë Shqiptarja.com sjell të gjitha ndryshimet që bëhen në draftin e ri nga financimet, te kuotat gjinore, etj.

14  ndryshimet e plota në Kodin Zgjedhor (si ishin dhe si bëhen)

1.      Kuotat gjinore (detyrimi i përfaqësimit të femrave edhe në komisionet zgjedhore)

Ishte: Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, për çdo këshill bashkie, një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje duhet t’i përkasë së njëjtës gjini.

Bëhet: Kuotat gjinore në jo më pak se 30 për qind të përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë dhe 50 për qind të organeve të njësive bazë të qeverisjes vendore. Vendosjes së kuotave gjinore në jo më pak se 30 për qind të përbërjes së të gjithë niveleve të administratës zgjedhore. Për çdo zonë zgjedhore jo më pak se një në çdo tri emra të njëpasnjëshëm në renditje të listës shumëmërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore për çdo këshill bashkiak një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje duhet t’i përkasë secilës gjini.

2.      Veprimtaria e institucioneve në fushatë (forcohen rregullat)

Ishte: Aparati i Këshillit të Ministrave dhe i Kryeministrisë, çdo ministri, zyra e prefektit dhe bashkitë janë të detyruara të caktojnë nëpunës ndërlidhës, përgjegjës për shkëmbimin e informacionit me KQZ-në, për veprimtaritë që kanë lidhje me administrimin ose zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike. Në rast se KQZ-ja vlerëson se veprimtaria e institucionit mund të dëmtojë ose të pengojë administrimin ose zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta, demokratike dhe transparente, atëherë KQZ-ja informon me shkrim nëpunësin ndërlidhës të institucionit përkatës jo më vonë se 5 ditë përpara datës së përcaktuar për fillimin e veprimtarisë.

Bëhet: Institucionet publike, qendrore dhe vendore, janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve. Raportimi është përgjegjësi personale e personit përgjegjës për drejtimin administrativ të institucioneve publike, agjencive dhe ndërmarrjeve shtetërore (sekretarit të përgjithshëm të institucionit, ose sipas rastit, e drejtorit të përgjithshëm apo drejtorit ekzekutiv). Raportimi duhet të kryhet jo më vonë se 48 orë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë. Për qëllimin e raportimit KQZ-ja mban dhe administron ndërfaqen e raportimit të veprimtarive publike. Personat përgjegjës marrin akses të personalizuar tek kjo ndërfaqe dhe hedhin të dhënat për datën dhe orën e veprimtarisë, llojin e saj, tematikën, nivelin më të lartë të pjesëmarrjes, të ftuarit e nderit, folësit e planifikuar dhe mediatizimin. Informacioni sipas këtij paragrafi është i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni sipas pikës 2 të këtij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj. Veprimtaritë e ndaluara nga KQZ-ja nuk lejohet të transmetohen apo të pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio dhe televizione.

3.      Përdorimi i administratës në zgjedhje (dy ndalime të reja)

Shtohen: Ndalohet Përdorimi i burimeve njerëzore përfshin edhe presionin ose ofrimin e përfitimeve nëpunësve publikë ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit.

Ndalohet transmetimi nga Radio Televizioni Publik i aktiviteteve të institucioneve publike qendrore dhe vendore për qëllime zgjedhore.

4.      Ndershmëria në zgjedhje (shtohet betimi i kryetarëve të partive)

Shtohet: Deklaratë me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet me vendim të KQZ-së.”

5.      Parashikimet në Kodin Penal reflektohen në kod për veprimet e paligjshme në zgjedhje

Shtohet: Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin  të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike.

6.      Materialet propagandistike (ndalohen në vendet publike)

Ishte: Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore cakton, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, vendet publike për afishimin e materialeve propagandistike.

Bëhet: Ndalohet përdorimi i materialeve propaganduese statike në kundërshtim me përcaktimet e bëra në pikën 2 të këtij neni. Me “materiale propaganduese statike” kuptohen të gjitha materialet që i shërbejnë subjektit zgjedhor apo partisë politike për promovimin e fushatës zgjedhore dhe që janë vendosur ose afishuar në vende ose hapësira publike me akses publik, si shtyllat e ndriçimit të rrugëve, fasadat e ndërtesave, sheshet, pjesët ballore të dyqaneve ose ndërtesave, përgjatë rrugëve të qyteteve, rrugëve ndërqytetëse, etj.

7.      Monitorimi i fushatës zgjedhore

(thjeshtohet monitorimi dhe hiqet bordi i monitorimit të media, duke shfuqizuar nenin 81/1)

8.      Financimi i zgjedhjeve (ndryshon formula, përfitojnë 10 % të fondit kandidatët e pavarur)

Ishte: 95 për qind e fondit i shpërndahet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, të cilat kanë përfituar jo më pak se 0,5 për qind të votave të vlefshme në zgjedhjet paraardhëse; 5 për qind e fondit i shpërndahet partive politike që janë regjistruar si subjekte zgjedhore dhe që nuk përfitojnë sipas shkronjës “a” të këtij neni

Bëhet: 90 për qind e fondit i shpërndahet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore të cilat kanë marrë jo më pak se 0.5 për qind të votave të vlefshme në zgjedhjet pararendëse. Dy të tretat e këtij fondi ju jepet këtyre partive si paradhënie, ndërsa një e treta e tij iu shpërndahet pas zhvillimit të zgjedhjeve dhe dorëzimit të raporteve financiare respektive në KQZ. 10 për qind e fondit i shpërndahet partive politike dhe kandidatëve të pavarur të regjistruar si subjekte zgjedhore dhe që nuk përfitojnë sipas shkronjës “a” të këtij neni.

9.      Financimi i partive (forcohen rregullat dhe kushtet)

Ishte: Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij, nëse ndodhet ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë;

Bëhet: Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij, nëse ndodhet ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 3 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë;

Shtohet: Personat fizikë ose personat juridikë që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 3 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë tjetër fonde me vlerën totale që tejkalon shumën prej 10 milion lekë, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik.

Ishte: Shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike.

Bëhet: Shuma e shpenzimeve të bëra nga një parti politike, përfshirë kandidatët e saj, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 2 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore.

10.  Deklarimi i shpenzimeve (detajohen rregullat)

Shtohet: Subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin Raport Financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve. Raporti duhet të përmbajë informacion në lidhje me: i) Çdo dhurim që i është bërë partisë/subjektit zgjedhor (duke përfshirë edhe degët dhe kandidatët e saj) gjatë fushatës zgjedhore dhe gjashtë muaj para fushatës dhe burimin e tij, përfshirë edhe dhurimet apo shërbimet në natyrë. Të ardhurat për qëllime të fushatës zgjedhore nga të gjitha burimet e tjera të lejuara. Të gjithë zërat e shpenzimeve për qëllime të fushatës zgjedhore siç përcaktohen në vendimin e KQZ-së dhe në nenin 90, pika 3 të këtij Kodi. Bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve.

Shtohet: Çdo parti politike që merr pjesë në zgjedhje mban dhe ruan në arkivë për një periudhë prej 7 vjetësh, dokumentacionin e plotë dhe të hollësishëm të statusit të saj financiar dhe të degëve të saj.

11.  Shpenzimet e fushatës, kompetenca të reja për KQZ

Shtohet: KQZ ka të drejtën të verifikojë drejtpërdrejt shpenzimet e fushatës zgjedhore për cdo parti parti politike të rregjistruar si subjekt zgjedhor, kandidatët apo kandidatë e propozuar nga zgjedhësit, ose të verifikojë raportin e auditimit sipas pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja për zbatim të këtij neni ka të drejtë të kërkojë të dhëna, dokumente apo informacion nga subjektet zgjedhore apo persona të tretë, të cilët duhet t’i përgjigjen kërkesës së KQZ-së brenda 15 ditëve nga marrja e saj. Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e verifikimit të kryer nga KQZ-ja raportohet në prokurori si vepër penale, sipas nenit 248 të Kodit Penal, si dhe ndërshkohen administrativisht prej saj në përputhje me nenin 173 të këtij Kodi.

12.  Monitorimi i fushatës zgjedhore (shtohet neni)

Shtohet: Jo më vonë se gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve, KQZ-ja cakton një numër të mjaftueshëm personash për të monitoruar përmbushjen nga subjektet zgjedhore të detyrimeve në lidhje me financimin e fushatës dhe detyrimeve të tjera sipas nenit 4 të këtij Kodi. Monitoruesit duhet të përzgjidhen nga personat me përvojë në vëzhgimin e zgjedhjeve.

Shtohet: KQZ-ja krijon dhe mirëmban për periudhën 6 muaj para datës së zgjedhjeve deri në gjashtë muaj pas datës së zgjedhjeve portalin në internet, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme të këtij Kodi nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës.

13.  Ndërprerja ose djegia e mandatit

Ishte: Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar.

Bëhet: Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67 të këtij Kodi, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Në rast se emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar mandati i kalon kandatit të gjinisë përkatëse të partisë politike të koalicionit me herësin më të lartë. Ky proces zëvendësimi vijon duke garantuar përherë plotësimin e vakancës vetëm me kandidate të së njëjtës gjini. Në rastin e partisë politike që ka konkurruar e vetme në zgjedhje dhe kur vakanca nuk plotësohet nga gjinia më pak e përfaqësuar atëherë partia politike ndëshkohet nga KQZ-ja me gjobë në shumën 2 milion lekë.

14.  Sanksione në lidhje me financimin e fushatës

Ishte: Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga ana e përgjegjësit të financës të partisë politike ndëshkohet me gjobë nga 50,000 deri në 100,000 lekë.

Bëhet: Nga 100 000 deri 200 000 lekë.

Ishte: Mosbashkëpunimi me auditin e KQZ-së nga ana e subjektit zgjedhor dënohet me

gjobë nga 1,000,000 deri në 2,000,000 lekë.

Bëhet: Gjobë nga 2 000 000 deri 3 000 000 lekë, si dhe me pezullim të financimit publik të partisë politike për deri në 5 vjet.

Shtohet: Mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekë. Paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë prej 500 000 deri 1 000 000 lekë.

Shtohet: Fondet jopublike të përftuara nga një parti politike, identiteti i dhuruesit të të cilave nuk dihet ose nuk përcaktohet qartësisht, transferohen në llogarinë e KQZ-së. Moskalimi çon në konfiskimin e fondeve të marra dhe në një gjobë të barabartë me shumën e fondeve të marra.

Shtohet: Pranimi i fondeve private më vlerë më të madhe se 30 mijë lekë dhe kur transaksioni nuk është bërë përmes llogarive bankare dënohet me një gjobë të barabartë me shumën e dhuruar dhe  në kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së.

Shtohet: Pranimi i fondeve nga donatorë të ndaluar siç specifikohet në nenin 89, pika 3  dënohet me kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së dhe me një gjobë të barabartë me dyfishin e shumës së fondeve të marra.

Shtohet: Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme e gjatë procesit të verifikimit nga KQZ-ja sipas nenint 91, paragrafi 6 ndërshkohet me gjobë nga KQZ-ja prej 100 000 lekë deri në 3 000 000 lekë.

Shtohet: Shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga një subjekt zgjedhor dënohet me një gjobë prej 5 000 000 lekë ose me një gjobë të barabartë me shumën që ka kaluar kufirin, cilado që është më e lartë.

(Kliko këtu për të lexuar draftin e plotë të PS për ndryshimet në Kodin Zgjedhor)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Mitsotakis nënshkruan kontratën, nis ndërtimi i rrugës Janina-Kakavijë me vlerë 310 milionë euro

Mitsotakis nënshkruan kontratën, nis ndërtimi i rrugës Janina-Kakavijë me vlerë 310 milionë euro