Punonjësit harrojnë zgarën ndezur, zjarri shkrumbon lokalin në Berat

17 Shtator 2021, 07:27

Një zjarr ka përfshirë gjatë natës një lokal në Berat, që ndodhej në afërsi të Urës së Goricës. Zjarri ka nisur fillimisht në një nga dhomat e gatimit të lokalit dhe më pas flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë lokalin, kjo për shkak edhe të konstruktit prej druri me të cilin ishte ndërtuar. 
Mësohet se shkak për zjarrin ishte bërë zgara në dhomën e gatimit, e cila ishte lënë gabimisht ndezur nga punonjësit.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit dhe është pikasur nga banorët që kanë lajmëruar efektivët e Repartit Zjarrfikës të qytetit. Pas mbërritjes, zjarrfikësit kanë bërë të mundur të lokalizojnë në një kohë të shkurtër flakët dhe të shuajnë totalisht zjarrin. 
Me gjithë ndërhyrjen në kohë të forcave zjarrfikëse për shuarjen e flakëve, zjarri përshiu me shpejtësi të gjithë sipërfaqen e lokalit, duke shkrumbuar thuajse gjithçka. Fatmirësisht gjatë momentit të rënies së zjarrit në lokal nuk ka pasur njerëz por dëmet materiale të shkaktuara janë të mëdha.