Qindra kriminelë bien në pranga pasi përdorin aplikacionin e krijuar nga FBI

8 Qershor 2021, 12:22

Autoritetet në Australi dhe Zelandën e Re deklaruan të martën se i kanë dhënë një goditje të madhe krimit të organizuar. FBI deklaron se qindra kriminelë ranë në pranga pasi kishin përdorur një aplikacion mesazh të drejtuar nga organet e ligjit.

Policia deklaroi se bandat kriminale menduan se aplikacioni i koduar i quajtur ANOM ishte i sigurt nga përgjimi kur, në fakt, autoritetet për muaj kishin monitoruar miliona mesazhe në lidhje me kontrabandën e drogës, pastrimin e parave dhe madje edhe për vrasjet e planifikuara.

Aplikacioni ishte pjesë e operacionit global të quajtur Trojan Shield, i cili drejtohej nga FBI dhe përfshinte Administratën e Zbatimit të Drogës në SHBA, Europol dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në më shumë se një duzinë vendesh.

Autoritetet në Australi thanë që aplikacioni ishte instaluar në celularë dhe popullariteti i tij u rrit organikisht në qarqet kriminale pasi u garantua  si i sigurtë nga disa figura të profilit të lartë të botës së krimit, të përshkruar si "ndikues kriminale".

Autoritetet Australiane thanë se ata arrestuan 224 persona dhe sekuestruan më shumë se katër ton drogë dhe 35 milion dollarë (28,7 milion €) në një operacion që daton tre vjet më parë. Policia e Zelandës së Re tha se ata kishin arrestuar 35 persona dhe kishin kapur drogë dhe pasuri me vlerë miliona. Ndërkohë që ditën e sotme priten të dhëna të tjera nga FBI dhe Europol, pasi këto të dhëna janë bërë publike vetëm në Australi dhe Zelandë të Re.