Radhë në Kakavijë/ Pas apelit të Report Tv, në 4 orë kalojnë 1300 qytetarë! Tamponët me kampion! Xhaçka: Sigurohet ushqim, ujë e tualete për qytetarët e bllokuar

14 Gusht 2020, 20:40

KAKAVIJE - U desh apeli i fortë në Report Tv që të zgjojë reagimin e autoriteteve shqiptare, që pas negociatave me palën greke, të përshpejtohen kontrollet dhe vetëm në 4 orë të kalojnë mbi 1300 persona në pikën kufitare të Kakavijës pas bërjes së tamponit nga ekipet shëndetësore greke.

Pas 3 ditëve në radhë në Kakavijë për të kaluar kufirin në Greqi, Forcat e Armatosura shqiptare dolën në terren për të furnizuar me ujë qytetarët e rraskapitur nga pritja dhe temperaturat e larta. Në Kakavijë, mbërritën edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe kreu i Emergjencave Civile Haki Çako, për të takuar përfaqësues të pushtetit lokal dhe policisë.

Në një deklaratë për mediat, Xhaçka tha se janë sjellë ushqime, ujë, ekipe mjekësore dhe tualete të lëvizshme, në mënyrë që të sigurohen sa më shumë nevojat bazike për qytetarët e bllokuar. Ajo shtoi se ministria e Jashtme vijon të jetë në bisedime që të shtohen kapacitetet e testimit në kufi nga pala greke dhe të punohet edhe gjatë natës në mënyrë që të reduktohen radhët.

Ministria e Jashtme në një reagim zyrtar të pasdites tha se pas negociatave me autoritetet greke u përshpejtua bërja e tamponëve, si rezultat i shtimit të stafit mjekësor në kufi, që deri në orët e paradites, ishin vetëm dy mjekë grek për bërjen e tamponit ndaj mijëra udhëtarëve. Sipas ministrisë, në negociata është hapja e kufirit edhe gjatë natës, pasi aktualisht punohet nga ora 06.00 e mëngjesit deri në 22:00.

Ndërkohë, zv.ministri i jashtëm Agron Tare tha ekskluzivisht për Report Tv se ekipet greke tashmë e bëjnë tamponin vetëm me kampion për rastet e dyshuara me COVID, 1 në 10 makina për rastet e dyshuara. Sipas tij, ka negociata që deri me  17 gusht që kusht bëhet karantina 1 javore dhe testi i bërë vetë nga qytetarët me rezultatin negativ, të mund të hiqet tamponi në kufi.

Gjatë pasdites ka reaguar edhe Ambasada e Greqisë në Shqipëri, që njoftoi se kufizimet  për Shqipërinë do të shtyhen deri më datë 31 gusht 2020 dhe nuk do të kalojnë më shumë se 1050 veta në ditë në të dy pikat e kalimit kufitar Kapshticë dhe Kakavijë, konkretisht  750 persona në ditë në pikën kufitare të Kakavijës, ndërsa në Kapshticë do të lejohen të kalojnë 300 persona në ditë, sipas orareve të përcaktuara 06:00-22:00.