Rama: Basha-Meta lojë politike me të vdekurit e COVID! Viktimat s'janë vota që vidhen në PD apo kuti këpucësh me lekë të zeza që vijnë nga Gjiri i Lalzit për burime mediatike

21 Nëntor 2020, 19:53

TIRANË- Në një mesazh që ka zgjatur rreth 20 minuta, kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës se po fshihen viktimat e COVID-19.  Kreu i qeverisë  e mohoi kategorikisht këtë akuzë çnjerëzore, siç ai e quan, duke thënë se qeveria nuk ka as mundësi praktike dhe as teorike ta bëjë një gjë të tillë. Rama nuk i ka kursyer ironitë teksa thotë se viktimat e COVID s’mund të fshihen si serverat e kryeministrisë një ditë pas 21 janarit, s'janë as vota që vidhen në PD apo kuti këpucësh me lekë të zeza që vijnë nga Gjiri i Lalzit për mediat.

E gjitha kjo për Ramën është një lojë politike e orkestruar nga kryedemorkati Lulzim Basha dhe presidenti Ilir Meta, si e vetmja formë që kanë për të marrë pushtetin. Nisur nga thirrjet e vazhdueshme të opozitës që Prokuroria të nisë hetimet, numri një i qeverisë tha se askush nuk e ndalon të bëhet pjesë në atë që ai cilëson si një marrëzi politikë.

Duke lënë me një anë opozitën, Rama iu drejtua qytetarëve duke iu kërkuar që të mos dyshojnë në shifrat zyrtare të raportua nga qeveria, si edhe të vazhdojnë që të respektojnë masat anti-COVID për të shmangur një karantinë të dytë. Mesazhin e tij, të cilin ndryshe nga herët e tjera kishte zgjedhur që ta shkruante në letër, Rama e mbylli me një shprehje të filozofit gjerman Immanuel Kant: Nëse dikush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë, ose e ke bërë vetë ose do e bënte vetë nëse do kishte mundësi.

Akuzat e Bashës për fshehje të rreth 400 viktimave me COVID ka prodhuar reagime të shumta, ku së pari ishin mjekët e spitaleve COVID, të cilët kanë mohuar gjithçka. Ata thanë se kjo është një goditje e qartë ndaj punës së tyre. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë i ka bërë thirrje Bashës që të shkojë dhe të ballafaqojë të gjitha pretendimet e tij. Një reagim ka pasur edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili tha është nuk fshehur asgjë dhe nuk kanë pasur asnjë të vdekur pa skedë.