Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbrëmjen e djeshme bëri një deklaratë shumë të fortë, ku pretendoi se po manipulohen shifrat e të vdekurve nga COVID në vend, duke u fshehur pjesa më e madhe e tyre.

Kjo deklarata ka shkaktuar një valë reagimesh nga autoritetet shëndetësore dhe qeveritare në vend.

Mjekët që po përballen me këtë pandemi, Ministria e Shëndetësisë dhe Kryeministri Rama kanë reaguar ashpër ndaj këtyre deklaratave tronditëse.

Drejtoresha e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, e shoqëruar nga mjekët që janë në frontin e parë të luftës kundër COVID, kanë reaguar ashpër ndaj akuzave të bëra mbrëmë nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili pretendoi se ka një dokument nga morgu i Tiranës që vërteton fshehjen nga autoritetet të të vdekurve nga koronavirusi në spitalet e Tiranës. 

Sipas mjekëve këto akuza janë tronditëse dhe një goditje ndaj punës së tyre.

"Shprehim publikisht habinë tonë për akuzat e bëra dje nga kreu i PD-së Lulzim Basha në një emision televiziv. Janë akuza tronditëse që vendosin në goditje profesionalizmin tonë si mjek por janë dhe goditje të befasishme të përpjekjeve tona më shumë se 9 mujore me COVID-19. Nuk duhej kurrësesi të arrihej deri këtu dhe nuk është aspak dëshira jonë që të merremi me deklarata publike, por përballë akuzash të tilla e kemi të domosdoshme të informojmë opinionin publik si vijon. Nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit. Shkaku i vdekjes së një pacienti në spital nuk mund të përcaktohet as nga politikanët as nga kushdo qoftë përveç mjekut përkatës.

Kartelën bashkëshoqëruese të të ndjerit nuk e zëvendësojnë dhe as nuk e ndryshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje vetë humanizmin e autorëve të tyre në një kohë kaq të vështirë për njerëzit. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të parafytyrohej dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara. Gjithashtu bëjmë me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet, ne do të ftojmë organet kompetente të hetojnë duke bërë verifikimin e çdo kartele mjekësore. Nuk do të lejojmë kurrësesi pa adresuar me ballafaqim miqësor ose ligjor këtë cënim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional. Duhet t'i jepet njëherë e mirë fund praktikës politike dhe mediatike të lojës me vdekjen që ka sjellë jo pak telashe në 30 vjet në jetën e bluzave të bardha. Kjo dalje jashtë shinave të së vërtetës në këtë kohë janë tejet të rrezikshme. Në këtë kohë të vështirë kjo është gjëja e fundit që na shkon në mendje ndërkohë që krejt të kundërta duhet të jenë mesazhet e figurave publike të popullit" - tha Çomo.

Tabelat e publikuara nga kreu i PD, Lulzim Basha

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:17
Akuzat për fshehje të vdekjeve nga COVID/ Ministria e Shëndetësisë: Akuzë e shëmtuar dhe e rrezikshme, Basha të vijë të ballafaqojë çdo hamendje! (VIDEO)

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i konsideron të gënjeshtërta akuzat e hedhura dje në nga Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Përmes një deklarata të zv. ministrit, Albert Nikolla, Ministria e Shëndetësisë e fton "z. Basha dhe këdo tjetër për llogari të tij, që të ballafaqojë me autoritetet shëndetësore çdo hamendje, përpara se sa të shpërndajë të tilla tymnaja toksike për shpirtrat e mendjet e qytetarëve".

Ministria e Shëndetësisë thotë se çdo informacion raportohet me transparencë, dhe bën apel që të mos vihet në dyshim integriteti i mjekëve.

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale solidarizohet me mjekët e vijës së parë të frontit kundër Armikut të Padukshëm, të cilët gjenden qysh mbrëmë nën një akuzë jo vetëm të shëmtuar politike, por edhe të rrezikshme për bluzat e bardha!

Akuza e lëshuar mbrëmë nga Kryetari i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha, për fshehje të qëllimshme të numrave të qytetarëve që kanë ndërruar jetë, cenon rëndë dinjitetin e mjekëve tanë dhe nxit agresivitetin ndaj tyre, në një kohë kur ata janë aseti më i paçmueshëm që Shqipëria ka në përballjen me pandeminë. Është e paimagjinueshme që ndërkohë që qeveria ka bërë gjithçka për paralizimin e burimeve të dhunës fizike ndaj mjekëve në këto vite, sot opozita ta stimulojë këtë dhunë me një akuzë të tillë e cila fajëson direkt ata, sepse janë mjekët dhe askush tjetër që përcaktojnë shkaqet e fataliteteve në kartelat mjekësore të pacientëve.

Si mund të imagjinohet që të gjithë mjekët tanë të jenë të përfshirë në një manipulim që edhe ta parafytyrosh duhet një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme, ndërkohë që ata kanë përgjegjësi njerëzore, profesionale dhe ligjore për çdo kartelë mjekësore?!

MSHMS u shpreh keqardhjen më të madhe dhe mbështetjen më të fortë mjekëve të Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët e ngritën zërin për ta hedhur poshtë me forcën e dinjitetit të tyre akuzën e zotit Basha. Keqardhje sepse pasi janë gjendur në mënyrën më të pamerituar, përballë akuzave të pabazuara, të paargumentuara, dashakeqe në adresë të tyre, sot janë detyruar të bëjnë edhe një deklaratë publike në adresë të politikës, në vend se të paktën të mos sulmohen nga politika në misionin e tyre.

Çdo humbje jete është një dhimbje e madhe jo vetëm për familjarët e të ndjerëve, por edhe për stafet tona mjekësore, të cilat punojnë çdo ditë, orë e pa orë, në luftë me vdekjen, për të shpëtuar çdo jetë njeriu. Por është jonjerëzore që politika të trazojë shpirtrat e lënduar të familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre, duke ngritur një dyshim kaq të rëndë për integritetin e mjekëve tanë. 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e rifton zotin Lulzim Basha dhe këdo tjetër për llogari të tij, që të vijë e të ballafaqojë me autoritetet shëndetësore çdo hamendje, përpara se sa të shpërndajë të tilla tymnaja toksike për shpirtrat e mendjet e qytetarëve.

Për sa na takon, ne do të vazhdojmë të komunikojmë me korrektësi dhe transparencë me qytetarët shqiptarë, siç kemi bërë që nga dita e parë e kësaj pandemie, çdo informacion të raportuar nga strukturat tona, duke kërkuar besim, mirëkuptim, durim në kushtet e kësaj lufte kaq sfiduese për mbarë globin", thuhet në deklaratën e zv. ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albert Nikolla.

Ora 14:31
Një ditë pas akuzave për fshehjen e të vdekurve nga COVID, Basha nuk sjell asnjë fakt të ri, vijon me të njëjtën retorikë

Edhe pse akuzat e tij kanë shkaktuar alarm në vend, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon me retorikë dhe nuk sjell asgjë të re. Ai nuk sjell asnjë provë më shumë. 

Në një postim në Facebook së fundmi ai ka mbetur te deklaratat e mbrëmshme, shpërndan të njëjtën video, duke mos pasqyruar asnjë fakt tjetër për të vërtetuar atë që ai pretendon se është fshehje e të vdekurve nga COVID në Shqipëri.

"Edi Rama po gënjen dhe po fsheh numrin e viktimave të COVID-19 në Shqipëri. Ne kemi detyrën të shpërndajmë të vërtetën në emër të jetëve të humbura", ka shkruar Basha në postimin e tij.

 

Ora 12:13
Akuzat e Bashës/ Rama: Shkoi shumë larg, përtej çdo caku, solidaritet me mjekët! Nesër i drejtohem shqiptarëve

Kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me akuzat e bëra mbrëmë nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, për fshehje të numrit të të vdekurve nga COVID. Për Ramën me këtë akuzë është kaluar caku. Kryeministri njofton se për këtë çështje do t'i drejtohet me një mesazh të drejtpërdrejtë shqiptarëve.

"Për akuzën e pashembullt të Lulëzim Bashës, e cila cenon drejtpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre, do t'u drejtohem nesër shqiptarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë, sepse këtu është shkuar shumë shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjeshtë për llafet e një aktori të papërgjegjshëm!

Sot u shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulëzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t'u jetë harruar emri, nami e nishani!", thuhet në reagimin e Kryeministrit.

 

Ora 10:56
Akuzat për viktimat me COVID, reagon Instituti i Mjekësisë Ligjore: Nuk fshehim asgjë! Vdekjet nga virusi i trajton vetë QSUT

Ka reaguar dhe kreu i Institutit të Mjekësisë Ligjore për akuzat e kryedemokratit Basha mbi fshehjen e viktimave nga COVID.

Bledar Xhemali shprehet për Report Tv se nuk kanë fshehur asgjë dhe nuk kanë pasur asnjë të vdekur pa skedë.

Ai thotë se të vdekurit me skedë nuk kalojnë nga mjekësia ligjore por i trajton vetë spitali dhe mjeku që konstaton vdekjen.

Ora 10:47
SPAK për Report Tv: Nuk kemi kompetencë për inventarizimin e të vdekurve! Prokuroria e Tiranës: Nuk është ngritur grup hetimor për këtë rast

Interesimit të Report Tv, SPAK përgjigjet se nuk ka kompetencë të inventarizoj të vdekurit apo të merret me deklarata politike.

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës e cila ka kompetencë dhe morgun në QSUT tha se ende nuk ka asnjë vendim për ngritjen e një grupi hetimor për të verifikuar denoncimin e Bashës për fshehjen e vdekjeve reale nga COVID.