Rama: Diella do të kontrollojë çdo hallkë të tenderëve, bizneset s’do të mbledhin më dokumente...

17 Nëntor, 16:15 | Përditesimi: 17 Nëntor, 16:15

Nga dokumentet që dorëzojnë bizneset për të marrë pjesë në tender, te fondi limit dhe vlerësimi i ofertave, Diella do të përfshihet në të gjitha hallkat e prokurimit publik. Kryeministri Edi Rama prezantoi modelin e ri të prokurimit publik, sipas të cilit ministritë nuk do t’i zhvillojnë më vetë tenderët duke nisur nga 2027-a, por do t’i planifikojnë dhe realizojnë përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.

“Për herë të parë, në fazën e diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, përfshihet edhe sistemi i ri i prokurimit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, i cili do të shërbejë si mekanizëm në dispozicion të dikastereve qendrore për të planifikuar dhe realizuar në kohë prokurimet publike. Ky është një transformim në funksionimin tërësor të pushtetit ekzekutiv sa i përket eficiencës së prokurimeve. Vëmë në dispozicion të këtij qëllimi një strukturë të specializuar, e cila po integrohet në sistemin europian të prokurimeve dhe po merr ekspertizë të nivelit të lartë nga institucione të ngjashme.

Synimi është që të jetë një model ekselence dhe inovacioni për të gjithë këtë pjesë të botës ku ne jetojmë. Do të kombinojmë arkitekturën ligjore europiane me centralizimin strategjik të sistemit të prokurimit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara dhe me përdorimin e inteligjencës artificiale në analizën e riskut dhe në hartimin e të gjithë dokumentacionit", u shpreh Kryeministri. 

K.C/Shqiptarja.com