TIRANË-Shumica gjen zgjidhje pas refuzimit të dekretit nga Presidenti Ilir Meta për Sandër Lleshin. Në mungesë të dekretit të Metës për ta emëruar ministër, qeveria fillimisht do të emërojë me vendim të Këshillit të Ministrave Sandër Lleshin në pozicionin e zv/ ministrit të parë për ta komanduar më pas në postin e ministrit të Brendshëm.
Ndërkohë që nesër në orën 10:00 do të mblidhet Kuvendi për të votuar dekretin e shkarkimit nga detyra të Fatmir Xhafajt. Pasi lexoi para grupit letrën me refuzimin zyrtar të Presidentit për Lleshin, Rama u shpreh se Ilir Meta shkeli Kushtetutën me këtë vendim, ndërsa përmes një statusi në rrjetet sociale kishte edhe një paralajmërim.
Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t'i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00.
Edi Rama
Lëvizja e kryeministrit Rama për të komanduar Lleshin erdhi pas vendimit të Presidentit Meta pasditen e së shtunës për të mos e dekretuar. Në një reagim të shkurtër, presidenca sqaroi të shtunën se Meta nuk ishte i bindur për kandidaturën e Lleshit në krye të ministrisë së Brendshme.
Kjo bëri që dje, me kërkesë kreut të qeverisë, të zhvillohej një takim në Presidencë mes kreut të shtetit Ilir Meta dhe kryeministrit Rama. Pas takimit, Kryeministria tha se ‘Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës’.
Sot Rama vendosi që të ‘nxjerrë jashtë loje’ Presidentin duke e emëruar Sandër Lleshin në postin e zv/ ministrit të parë dhe duke e komanduar Ministër të Brendshëm.
Aktualisht, zyrtarisht janë pesë zv/ ministra të Brendshëm; Romina Kuko, Rovena Voda, Besfort Lamallari, Julian Hodaj dhe Sandër Lleshi, që do të jetë i parë dhe i komanduar ministër.