TIRANË- Presidenti i Republikës Ilir Meta, nuk e ka dekretuar gjeneral Sandër Lleshin si ministër i Brendshëm. Në një reagim të shkurtër për mediat, presidenca sqaron se Meta nuk është i bindur për kandidaturën e Lleshit në krye të ministrisë së Brendshme.

“ Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t'i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm.”-thuhet në reagimin e Metës.

Kjo është hera e parë që një president i shtetit shqiptar nuk pranon të dekretojë një ministër.

Ngërçi për mosdekretimin e Lleshit, fillimisht u lidh me përcaktimin në Kushtetutë lidhur me veprimtarinë e Lleshit në Forcat e Armatosura. Ky ngërç lidhet me nenin 103 të kushtetutës ku thuhet se: “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërisë civile”.

Meta u shpreh dje se do të jepte vendimin për dekretimin e tij do ta marrë do të marrë kohën e duhur për të marrë vendimin e duhur pa u ndikuar nga askush. Por në këtë reagim të fundit, ende nuk është sqaruar nga Meta arsyeja e moskrijimit të bindjes për kandidaturën e tij, në krye të këtij dikasteri.

Por kush do të jetë ministër i Brendshëm pas rrëzimit të kandidaturës së Sandër Lleshit?

Fatmir Xhafaj është ministër i Brendshëm deri në momentin kur do të emërohet dhe të dekretohet ministri i ri i Brendshëm. Një dorëheqje kjo ende pa arsye të shpallur publikisht nga Rama dhe Xhafaj.

Ish-ministri dha dorëheqjen më 27 tetor të këtij viti, dhe u shpreh se ky akt ishte me vullnetin e tij të lirë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:08
Mosdekretimi i Lleshit nga Meta, Rama SMS deputetëve: Asnjë koment, politika është shah mos e harroni!

Tiranë- Kryeministri Edi Rama iu ka dërguar një sms deputetëve të grupit parlamentar të PS, pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të  mos dekretuar Sandër Lleshin si ministër i Brendshëm. 

Report Tv ka siguruar një mesazh që Rama iu ka dërguar deputetëve të PS, ku kryeministri kërkon nga ata që të mos bëhet asnjë koment për vendimin e Metës.

Lutem asnjë lloj komenti askujt për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t'i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni. 

Edi Rama, kryeministër

Presidenti Ilir Meta në një njoftim të shkurtër ka sqaruar se nuk është i bindur për kandidaturën e Lleshit në krye të ministrisë së Brendshme. Kjo është hera e parë që një president i shtetit shqiptar nuk pranon të dekretojë një ministër.