TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim për më shumë se 90 minuta me presidentin Ilir Meta në presidencë. Rama ka dalë duke buzëqeshur nga presidenca. Pavarësisht se iu kërkoi socialistëve të mos reagojnë dhe të mos komentojnë vendimin e Presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e gjeneral Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, vetë kryeministri Rama kërkoi një takim me Metën. 

Report Tv ka siguruar pamje nga momentet kur Rama hyn në Presidencë. Nuk dihet ende nëse ky takim ka patur një rezultat pozitiv, por dje Rama porositi deputetët socialistë të mos reagojnë pasi sipas tij, politika është një lojë shahu.

Kryeministri Edi Rama duke dalë i qeshur nga ambientet e Presidencës

Mosdekretimi i Lleshit nga Meta në këtë post, e lë vendin pa ministër të Brendshëm, duke e kthyer Shqipërinë në vendin e parë në Evropë që është pa ministër të Brendshëm, megjithëse ka si emergjencë luftën ndaj kriminalitetit.

Ky nuk është rasti i parë që Meta refuzon të dekretojë një kandidaturë të kryeministrit Edi Rama. Edhe në rastin e Helidon Bendos, i cili nuk u dekretua nga Meta si kryetar i SHISH, ky rast ka nisur të trajtohet si i ngjashëm me atë të Lleshit.

Shqiptarja.com mësoi dje se Lleshi mund të jetë zëvendës ministër i Brendshëm, dhe të drejtojë ministrinë e Brendshme si zëvendës ministër, por kjo nuk i jep atij kompetencat e nevojshme për të drejtuar këtë dikaster.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:24
Zbardhet takimi Rama-Meta, Kryeministria: Bisedimet do të vazhdojnë

Zyra e shtypit në kryeministri jep të dhëna mbi takimin e zhvilluar në presidencë mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta. Kryeministria sqaron se takimi ka qenë në frymën e një bashkëbisedimi të hapur dhe konstruktiv. 

"Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës."-thuhet në këtë reagim.

Reagimi i zyrës së shtypit, vjen pas një takimi prej 90 minutash që u zhvillua mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta pas mosdekretimit nga ky i fundit për gjeneral Sandër Lleshin si ministër i Brendshëm.