Rama niset në Turqi, PS mbledh online Asamblenë, miratohen 6 vendime!

2 Qershor 2021, 20:10 | Përditesimi: 2 Qershor 2021, 20:10

TIRANË-  Në mungesë të kryetarit Edi Rama, i cili është nisur drejt Turqisë, PS mblodhi sot online Asamblenë Kombëtare, ku u mor vendimi për zhvillimin e analizës së rezultateve në zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021.

PS doli forcë fituese në zgjedhjet e 25 prillit, e megjithatë kjo parti do të zhvillojë një analizë të detajuar të rezultatit të zgjedhjeve në të gjithë qarqet, që pritet të zgjasë 7 muaj.

Analiza do të kalojë në tre faza përmes një komisioni të posaçëm ndërsa procesi do të nisë në 15 qershor të këtij viti,  deri në 15 Janar të 2022 në çdo nivel të partisë.

Në fazën e parë do të zhvillohet një analizë për rezultatet e zgjedhjeve, në periudhën 15 qershor deri më 15 nëntor. Brenda kësaj faze do të zgjidhen edhe bashkë-drejtuesit e rinj të organizatave socialiste.

Faza e dytë do të përqendrohet në analizën për rezultatet e zgjedhjeve në Këshillat Socialiste të Njësive Administrative që do të zhvillohen në periudhën 15 nëntor deri më 15 dhjetor 2021.

Në fazën e tretë do të bëhet një analizë  për rezultatet zgjedhore në Asambletë Socialiste të bashkive dhe shkallë qarku, në periudhën 15 dhjetor deri më 15 Janar 2022 dhe zgjedhja e kryetarëve të PS në nivel bashkie.

Ndërkohë, më datë 12 qershor socialistët do të mbajnë kongresin e partisë, në përvjetorin e 30 të Partisë Socialiste. Më herët Edi Rama ka thënë se një arsye pse është vendosur kjo datë ka të bëjë me numrin e viteve të qeverisjes së socialistëve përllogaritur në tre mandate të fituara rresht.

b.ha./Shqiptarja.com