Rama: Pakti PD-LSI për llogari të Ilirit e Saliut, duan pushtet të shpërbëjnë Reformën në Drejtësi

2 Mars 2021, 16:32

TIRANË- Marrëveshja e një dite më parë e PD-LSI, për kryeministrin e Edi Rama është pjesë e planit të presidentit Ilir Meta dhe ish- kryeministrit Sali Berisha për të marrë pushtetin që të shkatërrojnë Reformën në Drejtësi...ose kokën e Lulit. Kështu e ka përkufizuar Rama këtë marrëveshje, i cili tha se nuk i jep dot asnjë shpjegim tjetër se përse u nënshkrua para zgjedhjeve në një kohë kur do të dalin në lista të veçanta në 25 prill.

 I gjithë problemi, sipas Ramës, nuk është te Meta, por te kryedemokrati Lulzim Basha, duke theksuar se ky i fundit nuk ka këllqet e një lideri që të reagojë kur Meta deklaron se do kapë 'amerikanët nga veshi'.

"Është pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës, për llogari të Ilirit dhe Saliu dhe pastaj ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë reformën në drejtësi ose kokën e Lulit, a ka më thjeshtë se kaq dhe është shumë e qartë pse e duan Lulin para zgjedhjeve, por këtu problemit nuk është Meta, por Lulzim Basha që nuk ka këllqe, që nuk ka karakterin e një lideri", tha Rama.  Për këtë akuzë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, sqaroi se përgjigjen do e japë nesër.

Në vijim të kësaj deklarate, Rama theksoi se Reforma në Drejtësi ka nisur që të japë efektet e saj e për të kuptuar këtë, ai theksoi se mjafton që të shiheshin dhe reagimet e presidentit Ilir Meta, sipas së cilit "ka shkalluar".

“Reforma në drejtësi është aq e besueshme saç është niveli i shkallimit të Ilir Metës”, tha kreu i qeverisë.

Thirrja e ndërkombëtarëve "për kandidatë të pastër në lista", për Ramën nuk janë kurrsesi ultimatume, duke shtuar se në Bruksel nuk ka dëgjuar kritika, por vetëm vlerësime mër Shqipërinë. Ndalur në një tjetër pikë, në atë të votës së të prekurve me COVID, kreu i qeverisë, ashtu si kurse kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, e la të nënkuptuar se nuk mund të bëhet asgjë, përveç se të rrinë në shtëpi.