Rama për ‘France 24’: Ne duhet ta marrim dritën jeshile nga Brukseli! Dënimi i Llallës dhe politikanëve, sinjal i mirë! Shqipëria 'betejë' për reformimin e sistemit të drejtësisë

20 Qershor 2021, 17:16

Shqipëria shpreson për hapjen zyrtare të negociatave të pranimit të vendit në Bashkimin Evropian në fund të qershorit. Kryeministri Edi Rama në një intervistë për një nga televizionet më të mëdha në Francë, “France 24” edhe pse mendon se Shqipëria duhet të marrë dritën jeshile nga Brukseli, shtoi se asgjë nuk e surprizon.

" Duhet thënë se në samitin para pandemisë, u vendos që të hapeshin bisedimet, më tej kjo u zgjat sepse duhej të merrej një vendim për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim së bashku këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit"

Rama ka deklaruar se Shqipëria është përfshirë në një "betejë" për të reformuar sistemin e saj gjyqësor përballë korrupsionit, sipas tij kjo një shenjë e ardhjes së një "demokracie funksionale". Kryeministri ka vënë theksin tek reforma në drejtësi, si një nga çështjet më të rëndësishme tani për rrugën europiane të Shqipërisë, ndërsa i pyetur për dënimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, e ka quajtur një sinjal të mirë për shtetin e së drejtës.

“Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme si në nivelin e qeverisjes apo edhe të pushtetit gjyqësor, atëherë Shqipëria do të ishte anëtare e BE-së sot. Ka një arsye pse ne jemi të ndershëm në këtë betejë për të reformuar sistemin e drejtësisë, dhe unë besoj se është krejtësisht e kundërta. Për herë të parë gjatë këtyre viteve të fundit, pandëshkueshmëria ia ka lenë vendin shtetit të së drejtës dhe nëse ka një prokuror të përgjithshëm apo ish-personalitete si në sistemin gjyqësor edhe në sistemin politik në përgjithësi që dënohen, atëherë kjo është një shenjë shumë e mirë që tregon lindjen e diçkaje që është shumë e rëndësishme, shteti i së drejtës. Pikërisht për këtë ne duam të vazhdojmë procesin e bisedimeve sepse kjo na mundëson të ndërtojmë një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale, dhe nëse nuk do të kishim këto në këtë rrugëtim, sigurisht Këshilli Europian nuk do të kishte marrë asnjëherë në konsideratë, qoftë edhe në një tryezë Shqipërinë për të filluar bisedimet", nënvizoi kryeministri.

Kreu i qeverisë ka folur për procesin e integrimit, përballjen me pandeminë, zgjedhjet, si dhe për luftën kundër korrupsionit. Mes të tjerash kryeministri u ndal dhe tek zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa nënvizoi se u njohën nga OSBE/ODHIR-i.

“Kemi pasur raporte të OSBE-së dhe ODIHR-it, që janë mjaft të qarta rreth integritetit të fushatës, integritetit të zgjedhjeve, por sigurisht me gjëra për t’u përmirësuar. Lidhur me këtë fakt, jam shumë i kënaqur që ju më pyesni, sepse kam parë që ka pasur artikuj surrealë edhe në Francë. Nuk bëhet fjalë për të dhëna personale konfidenciale që kanë dalë, por bëhet fjalë për të dhëna të organizatave të partive, por që nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat personale dhe konfidenciale të Gjendjes Civile. Së pari, Regjistri i Gjendjes Civile ka qenë i publikuar në internet që prej disa vitesh. Së dyti, doja të shpjegoja se në kartën tonë të identitetit, numri i gjendjes civile nuk përfaqëson asnjë të dhënë për personin. Është vetëm një numër identiteti për të përdorur këtë kartë në shërbimet publike, por nuk ka të dhëna sensitive", tha Rama.