Rama: Shtyrja e afatit të ID? Bën sens si kërkesë, do e shqyrtojmë! Koalicioni opozitar, një hibrid

22 Shkurt 2021, 13:12 | Përditesimi i fundit: 2021-02-25 11:04:37

TIRANË- Kryeministri Edi Rama e ka lënë të hapur si mundësi shtyrjen e afatit të ID deri më 30 prill, kërkesë kjo e bërë nga opozita. Për kreun e qeverisë, kjo është një kërkesë që bën sens pasi është në të mirë të procesit zgjedhor, e për pasojë ka deklaruar se do të shqyrtohet si mundësi.

Në përfundim të mbledhjes së përjavshme me drejtuesit politik të qarqeve, Rama nuk ka lënë pa komentuar edhe kundërshtarët politik, përfshirë këtu edhe presidentin Ilir Meta. Për këtë të fundit, ai ka përsëritur akuzat e tij se po bën fushatë për LSI-së duke theksuar se “veprimtaria e tij ilegale është në sytë e të gjithëve”. Nisur nga kjo, ai shprehet i bindur se qytetarët do e ndëshkojnë në 25 prill. Për Ramën, “Meta është një person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës”.

Nga ana tjetër, teksa tha se PS-ja do të bëjë koalicion vetëm me qytetarët, nuk i ka kursyer ironitë për opozitën e bashkuar të cilën e quajti “një hibrid të papërtypshëm”.

Në fund, edhe një përgjigje për të gjithë ata që e kanë sulmuar për nisjen e procesit të vaksinimit të personalitetet për mbi 80 vjeç. Kritikat, i ka quajtur të turpshme, duke thënës se po bëhet përpjekje për të marrë sa më shumë doza të vaksinës, që të kenë mundësi që të vaksinohen të gjithë.