Rama thirrje partive si do bëjmë fushatë në pandemi, Jakaj: Nëse ftesa do ishte e sinqertë do ishte ideale! Spahiu: Forcat politike të vendosin rregull për shëndetin e qytetarëve

23 Shkurt 2021, 22:44

Thirrja që kryeministri Edi Rama u bëri një ditë më parë forcave politike që të ulen e të bien dakord për të vendosur rregullat se si do të bëjnë fushatë në pandemi duke respektuar masat anti-COVID, ka qenë pjesë e diskutimit në emisionin "Repolitix" në Report TV. Besnik Jakaj, kandidat për deputet i LSI-së në Tiranë tha se nëse ftesa e Ramës do të ishte e sinqertë do të ishte ideale, por që sipas tij janë vetë ministrat e tij që thyejnë të parët masat anti-COVID. Jakaj tha se Rama duhet të flasë me opozitën e bashkuar, të vendosin rregullat e lojës dhe t'i zbatojnë ato.

"Po të ishte e sinqertë ftesa e kryeministri do ishte gjeja ideale që të uleshim dhe të vendosnim një rregull dhe ta zbatonin të gjithë. vetë ministrja e Spiropali shkon dhe thyen rregullat në një kurs për fëmijë duke shkelur rregullat anti-COVID shkeli edhe shpërdorim i imazhit të fëmijëve për politikë. Ju keni parë dhjetëra raste të tjera. nëse Rama do të bëjë zgjedhje të rregullta dhe duke zbatuar protokollit të flasë me opozitën e bashkuar, të vendosin rregullat e lojës dhe t'i zbatojnë", tha Jakaj.