Bizneset pa leje, që kanë zaptuar vijën bregdetare, kanë marrë sot ultimatumin e prerë të kryeministri Edi Rama, i cili i tha të largohen me dëshirën e tyre, ose në të kundër do t'i largojnë me pahir dhe do i konfiskojnë të gjitha çadrat e shezlongët, për të mos ia kthyer më. Ndërsa kthimin e vijës bregdetare në një ‘moll sherri’ mes bizneseve që përfundojnë në vrasjet tragjike si ajo në Velipojë, për Ramën janë ngjarje tepër të rënda, por që nuk mund të parandalohen dot nga policia e shtetit.
“Një gjë është e padiskutueshme se ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose me pahir dhe unë dua t’i bëj thirrje sot të gjithë atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin që të largohen nga sipërfaqet që nuk u takojnë me ligj dhe me rregull. Policia e Shtetit do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojnë çdo lloj çadre a shezlongu tjetër ndihmëse që nuk është e përputhur me bazën dokumentare të subjektit. Plazhet janë të popullit dhe për aq sa subjektet private janë të përfshira në garantimin e një sezonin turistik janë edhe të tyre si përgjegjësi, aty ku kjo përgjegjësi u është njohur ligjërisht. Subjektet që nuk janë të vendosura sipas ligjit duhet të largohen vetë dhe të mos humbasin dhe atë bazë materiale që kanë siguruara për biznesin e tyre, pasi do ju merrte dhe nuk do ju jepet më mbrapsht. Kjo është ajo që doja të thoja shkurtimisht”, tha Rama.

















