Rama-Meta në Kushtetuese, përfaqësuesja e qeverisë: Presidenti cënoi kompetencat e kryeministrit!

18 Maj 2021, 16:22

Është zhvilluar sot seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese për përballjen e parë institucionale mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, për çështjen e mosmarrëveshjes së kompetencave për dekretimin e ministrave.

Sipas përfaqësueses së Këshillit të Ministrave, Elira Kokona, Meta refuzoi dekretimin e ish-ministrit Cakaj jashtë çdolloj kompetence. Për Kokonën, Meta nuk kishte tagër për të refuzuar dekretimin e Cakajt dhe Ramës. Siç raporton gazetari Sokol Dema këshilltari i Presidentit Bledar Dervishaj ka thënë se konflikti institucional nuk ekziston dhe se sipas tij pretendimi për uzurpim kompetencash të Kryeministrit nuk qëndron.

Seanca ishte planifikuar që të zhvillohej me 25 mars, por për shkak të infektimit me Covid të anëtarëve të gjykatës Kushtetuese u shty. Kjo padi është depozituar nga Rama pas përplasjes me Metën për mosdekretimin e ish-ministrit të jashtëm Gent Cakaj. Meta në atë kohë refuzoi të dekretojë Cakajn i cili mbajti postin e ushtruesit të detyrës ndërsa ministër i jashtëm me dekret ishte vetë kryeministri Rama. Kjo është përballja e parë e dy liderve në gjykatë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Përpara zgjedhjeve ka pasur vazhdimisht përplasje në distancë mes tyre, pasi presidenti dhe kryeministri e kanë parë 25 prillin në këndvështrime të ndryshme. Edhe pse e tha si premtim se do të dorëheqet nga pozicioni i Presidentit të Republikës nëse Rama fiton 71 mandate, Meta nuk e mbajti fjalën. Pasi PS fitoi zgjedhjet, Meta doli në një deklaratë për shtyp nga Presidenca dhe ka folur sikur të mos kishte hedhur akuzat më të rënda për procesin zgjedhor por e përshëndeti atë. Meta tha se tashmë duhet reflektuar deri në shtator. Ndërkaq edhe Vlora ka qenë një nga zonat që u kthye në barut ndezës mes debatit të tyre.