Ramë-opozitës: Votojmë reformën zgjedhore, nëse fitoni një bashki më shumë se PS, shkojmë në zgjedhje të parakohshme

23 Mars 2019, 15:37

Kryeministri Edi Rama ka bërë ofertën e parë konkrete për opozitën e dalë jashtë parlamentit. I ka shtrirë dorën e dialogut për të bërë së bashku reformën zgjedhore, me sugjerime të Lulzim Bashës, kryetarin të PD-së dhe Monika Kryemadhit të LSI-së, duke përfshirë edhe masa të forta kundër shit-blerjes së votave, dhe më tej për ta miratuar me deputetët e rinj të opozitës në Kuvend ardhur nga listat e PD-së dhe LSI-së.

Rama i bëri apel opozitës të hyjë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit me ndryshimet e reja zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, edhe votimin elektronik, një kërkesë e aertikuluar me ngulm prej tyre që prej vitit 2017, dhe nëse arrin të marrë qoftë edhe një bashki më shumë se sa PS-ja, atëherë kryeministri u shpreh i gatshëm për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme. Një sfidë që kreu i qeverisë, nuk beson se opozita do ta kalojë.

Kreu i qeverisë Edi Rama i bëri të qartë opozitës jo parlamentare se nuk do të ketë pushtet në tavolinë! Nga takimi "Bashkia që duam" ku zyrtarizoi kandidatët e Erion Veliaj në garën për një mandat të dytë në Bashkinë e Tiranës, kryeministri tha se gjatë mandatit të tij ka duruar shumë nga opozita, madje edhe vezët dhe bojën në fytyrë, por nga sot - tha ai - nis një ofensivë frontale. Nëse opozita zgjedh të tradhtojë zgjedhësit e saj - tha Rama, mazhoranca nga ana tjetër nuk do e lëshojë mandatin e saj, pasi ka kontratë me qytetarët që i besuan qeverisjen e vendit. Vetëm karrigia është e imja - tha shefi i mazhorancës - pushteti është i juaji - duke ju drejtuar qytetarëve të shumtë që kishin mbushur sheshin Nënë Tereza ku u mbajt takimi "Bashkia që duam".

    No videos found.