Raporti / Vetingu boshatis 6 gjykatat e Apelit, Korça mbetet me vetëm 1 gjyqtar! Ikën 44 nga 78

17 Maj 2021, 18:28

Veprimi i ligjit të Vetingut ka shënuar kulmin në vitin 2020, duke çuar në përgjysmimin e gjyqtarëve në gjashtë Gjykatat e Apelit në Shqipëri. Pas boshatisjes së Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese në vitet 2018-2019, të cilat kanë rinisur të funksionojnë në fund të vitit 2012, tashmë sfida e madhe e drejtësisë së re janë vakancat në gjykatat e apelit. Nga 78 gjyqtarë të përcaktuar në organikën e gjashtë gjykatave të apelit, deri në fund të vitit 2020 kanë ushtruar detyrën vetëm 41 gjyqtarë. 37 gjyqtarët të apelit janë shkarkuar nga komisionet e Vetingut kryesisht për pasuri të paligjshme ose kanë dhënë dorëheqjen nga frika e përballjes me Vetingut.

Të dhënat pasqyrohen në raportin vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për funksionimin e gjykatave. Por vakancat në apel janë thelluar më tej gjatë 4 muajve të parë të vitit 2021, pasi janë shkarkuar dhe kanë dhënë dorëheqjen edhe 7 gjyqtarë të tjerë, duke çuar numrin në 44, që do të thotë se nga 78 gjyqtarë të përcaktuar në organikën, sot ushtrojnë detyrën vetëm 34 gjyqtarë. Mungesa e gjyqtarëve ka shtuar numrin e dosjeve të pashqyrtuara në Apel. Më serioze situata paraqitet në Korçë, ku nga 6 gjyqtarë kanë mbetur vetëm 1, pasi në 18 mars është shkarkuar njëri nga dy gjyqtarët e fundit që kishin mbetur.Gjatë vitit 2020, KLGJ-ja ka nisur procedura për të plotësimin e 20 vakancave, por procesi ka hasur në vështirësi. Së pari, për disa vende vakante në gjykatat e apelit në rrethe, nuk ka aplikuar askush, çka ka sjellë rihapjen e procedurave në mënyrë të përsëritur. Së dyti, kandidatët që kanë aplikuar nuk kanë përfunduar procesin e Vetingut. Në këto rrethana, Këshilli i Lartë Gjyqësor, për të evituar bllokimin total në disa gjykata të apelit në rrethe, ka caktuar 9 gjyqtarë në skemën e delegimit, për për gjykimin e çështjeve të veçanta.