Report TV EKSKLUZIVE/ Celula e “Xhindeve” të natës, lekët e vjedhura i fshehën në çati

14 Nëntor 2019, 11:32

KRUJE- Një hetim i nisur rishtazi për grabitjen e 130 milionë lekëve të vjetra në filialin e postës së Krujës, ka zbuluar një celulë të plotë grabitësish që vepronin si “xhindet” e natës, në trekëndëshin Durrës, Tiranë dhe Krujë. Hetimi ka pikasur dhe ka vënë në qendër të vëmendjes të prokurorëve të Krujës një person me emrin Besnik Parruca, me detyrë polic privat, roje poste në këtë qytet, por i arrestuari i parë si i dyshuar për akuzën e “Grabitjes me dhunë”, “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”.

Fill pas ndalimit të tij, hetimi i udhëhequr nga dy prokurorët e Krujës, Petrit Cano dhe Bujar Memia, të cilët në bashkëpunim edhe me policinë e këtij qyteti, është shtrirë dhe ka zbuluar celulën e grabitësve me armë në Laç dhe Fushë-Krujë, të cilët kishin kryer plot 18 grabitje dhe dispononin armatim të kalibrave të ndryshëm dhe tepër të fuqishëm. Kujtojmë që filiali i postës së Krujës ishte vjedhur edhe një herë tjetër nga kjo celulë grabitësish, por herën e para ata kishin mundur të marin vetëm shumën prej 640 mijë lekë të vjetra. Gazmir Saka, Andi Rrexhepi, Mark Caka, Haziz Lika dhe Bashkim Tunga, që tashmë ndodhen në burg, shfaqeshin si “xhinde” në errësirën e natës, duke kryer grabitjen e bizneseve të ndryshëm në Tiranë, Durrës, Vorë, Gjirin e Lalëzit, dhe Krujë. Ky grup specialitetin e tij e kishte në grabitje, ndërkohë anëtarët nuk përjashtohet në pjesëmarrje në vrasje dhe plagosje, pasi prokuroria u ka sekuestruar një arsenal të madh armatimi, i cili është çuar për ekspertim në laboratorin e policisë shkencore. Gjithçka ka nisur në 4 nëntor 2019 ku rreth orës 03:30 “xhindet” janë shfaqur në errësirën e natës, duke arritur të hyjnë në ambientet e brendshme të filialit të postës në Krujë, dhe prej andej të marrin me vetë kasafortën ku ndodheshin 13 milion lekë të rinj si dhe si edhe 1.482 euro.