Report TV Ekskluzive/ Përfundojnë hetimet për përplasjen në Ish-Bllok! Ja të pandehurit

20 Shkurt 2020, 12:35 | Përditesimi i fundit: 2020-02-20 15:47:23

TIRANE- Kur kanë kaluar gati 1 vit e 6 muaj nga ngjarja e ndodhur në zonën e ish-Bllokut, në lokalin “Monopol”, ku mbeti i vrarë, Fabiol Gaxha dhe i plagosur rëndë Elion Hato dhe biznesmeni Ervis Martinaj, prokuroria e Tiranës ka vendosur të mbyllë hetimet dhe të çojë këtë dosje për shqyrtim gjyqësor. Për këtë ngjarje nën akuzë janë vënë komandoja i Forcave Ushtarake Marviol Bilo, kushëriri i këngëtares Elvana Gjata, njëherësh dhe truproja i të fejuarit të saj, Ervin Mata. Ndaj Bilos është ngritur akuza e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një ose më shumë personave” në dëm të Fabiol Gaxha, “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një ose më shumë personave” mbetur në tentativë, ndaj biznesmenit Ervis Martinajt dhe mikut të tij Elion Hato. Hato, mori një plumb dhe disa të tjerë në trup, ndërsa Martinaj në u plagos në pjesën e qafës. Një tjetër akuzë që është ngritur ndaj Bilos, është dhe ajo e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.

Mes personave që është marrë i pandehur rezulton të jetë dhe vetë i dëmtuari në këtë ngjarje, biznesmeni Ervis Martinaj, i cili fillimisht në këtë dosje është hetuar dhe mbajtur për 7 muaj në burg me akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë, por prokuroria e Tiranës, në konkluzionin përfundimtar të dërgimit të dosjes në gjykatë, ka ngritur ndaj Martinaj akuzën e “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve për vrasje” pasi Martinaj i ka dërguar sms miqve të tij për t'u afruar në zonën e ish-bllokut, “Fshehje të ardhurash”, “Falsifikimit të pasaportave dhe kartave të identitetit”, pasi Martinaj pas ngjarjes ju sekuestrua një pasaportë Kosovare me emrin Admir Koca dhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit” në kundërshtim me ligjin. Këto akuza ndaj Martinaj, janë shtuar nga grupi i hetimit në datën 25 tetor 2019, pasi nuk kanë arritur të sigurojnë prova për ta akuzuar për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë.

Në këtë çështje mësohet se i pandehur është marrë dhe Ervin Mata, i fejuari i Elvana Gjatës, ku besohet se prokuroria ka ngritur akuzën e Moskallëzimit të krimit dhe Përkrahje të autorit të krimit”, pasi dyshohet se është personi që ka ndihmuar komandon Marviol Bilon të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke mos u arrestuar sot e kësaj ditë nga policia kriminale e Tiranës. 

Në analizimin e pamjeve filmike, thotë prokuroria, Martinaj nuk ka qënë i armatosur dhe s’ka kryer veprime aggresive që kanë elementët për të vrarë dikë, ndaj dhe akuza e vrasjes me paramendim, për të cilën fillimisht Martinaj ka qenë nën hetim, nuk është provuar. Por ndryshe nga çfarë thotë prokuroria e Tiranës në vendimin për mbylljen e hetimeve, në një dalje publike zëdhënësja me syze e Operacionit “Forca e Ligjit”, deklaroi se Ervis Martinaj është person në hetim për akuzën e “Vrasjes me paramendim”. Duket se në këtë rast, nuk ka një rakordim mes policisë dhe prokurorisë së Tiranës, pasi Martinaj zyrtarisht nuk ka një akuzë për vrasje dhe nuk është dënuar ndonjëherë për një akuzë të tillë.