Retë e zeza të tymit/ Kompanitë dhe njerëzit që fshihen prej 5 vitesh pas plehrave të Kavajës që digjen në Spille, pagesa miliona USD për pastrimin, mbeturinat nëpër fusha

9 Korrik 2021, 14:49

KAVAJË - Zhvendosja e mbeturinave në vendgrumbullime të paligjshme, duke u vënë më pas flakën, siç ka ndodhur ditët e fundit ‘nën hundën’ e policisë dhe prokurorisë në Peqin, Spille dhe Gjirin e Lalzit, duke krijuar re të zeza tymi, ka përgjegjës konkretë.

Rrethi i përgjegjësve për këtë krim mjedisor, me pasoja të rënda për shëndetin qytetarëve, mjedisin, turizmin dhe imazhin e vendit, nis që nga kompanitë e kontraktuara nga njësitë vendore për pastrimin e qyteteve dhe njësive administrative përkatëse. Vijon me administratat e bashkive, të cilat duhet të monitorojnë kompanitë që paguhen me paratë publike për pastrimin, agjencitë e shumta për mbrojtjen e mjedisit, dhe policia, e cila ka detyrimin që të procedojë penalisht dhe referojë në prokurori shkelësit e ligjit.