Ristani: Anëtarëve të PD-së iu mohua e drejta për të votuar, procesi zgjedhor është në kufij të pavlefshmërisë absolute

16 Qershor 2021, 10:51

Ish-sekretari i Përgjithshëm dhe kryetari i Komisionit të Apelimit brenda PD-së, Arben Ristani duke folur për përjashtimin nga e drejta për të votuar e mbi 28 mijë anëtarëve të PD-së për zgjedhjen e kryetarit të ri, tha se procesi është absolutisht i pavlefshëm.

Kjo pasi sipas Ristanit anëtarë të cilëve u është mohuar e drejta për të votuar, nuk kanë mundësi ankimimit, kjo pasi gjykata brenda partisë që shqyrton ankesat ka vetëm kryetarin.

'Kanë të drejtën kushtetuese që t'u jepet një vendim i arsyetuar se pse ty zotëri të mohohet e drejta për t'u zgjedhur çdo shkelje statutore i jep mundësinë çdo anëtari që të ankohen kundër shkeljes statutore. Është një komision që merr përsipër të gjykojë ankesat për shkeljet satutore. Është kompetencë e Gjykatës së partisë. Por çfarë ndodh, gjykata ka vetëm anëtari dhe nuk anëtarët. Nuk realizon dot shqyrtimin e ankimeve. Mohon të drejtën për t'u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Të heq të drejtën e ankimit, rrjedhimisht një proces që është në kufij të pavlefshmërisë absolute. Për mua është absolutisht i pavlefshëm.'- tha Ristani.