Roma fiton 2-0 derbin kundër Lazios, futbollistët përleshen në 'Olimpico'

5 Janar, 22:41

Në "Olimpico" derbi foli për Romën, me ekipin e Ranierit që fitoi 2-0 kundër Lazios. Pragndeshja u karakterizua nga kontrolle të shumta, aty ku policia sekuestroi dhjetra armë të ftohta duke shmangur kështu një përleshje të dhunshme mes ultrasve të dy ekipeve.

Në fushë dhe tribuna situata ishte e nxehtë, me lojën që u zhbllokua pas vetëm dhjetë minutave. Lorenzo Pellegrini zhbllokoi shifrat, para se Saelemaekers të shënonte golin e dytë brenda pjesës së parë. Te Lazio në stol qëndroi Elseid Hysaj, i cili ishte i gatshëm pas shumë muajve jashtë. Fundi ishte brenda "traditës", aty ku futbollistët u përleshën mes tyre. Arbitri Paireto nxori dy kartona të kuq, Castellanos te Lazio dhe një anëtar të stafit të Romës.

Me këtë sukses Roma ngjitet në kuotën e 23 pikëve për vendin e dhjetë, ndërsa Lazio me 35 pikë mbetet në pozitën e katërt.