Rrëfimi ekskluziv i Klement Balilit për Report TV / Pjesa e katërt

17 Janar 2019, 08:41

Klement Balili, personi më i kërkuar në Shqipëri, i cilësuar si Eskobari i Ballkanit ka folur ekskluzivisht për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha vetëm pak orë para arrestimit (Lexo këtu). Intervista u transmetua e plotë në emisionin "Repolitix" ku të ftuar ishin gazetari i Report Tv, Artan Hoxha, deputeti i PS, Xhemal Qefalia, analisti Ilir Kalemaj si dhe gazetari Poli Hoxha. Balili ka rrëfyer muajt e arratisjes dhe thotë se policia nuk i është afruar asnjëherë vendit ku ai fshihej dhe qëndroi në arrati për 2 vite e tetë muaj. 

Teksa pohon se është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë provë që e implikon në trafikun e drogës Balili flet edhe për lidhjet me politikën dhe angazhimin e tij me PD dhe më herët me LSI, parti për të cilën ai thotë se është angazhuar edhe familjarisht. Ai thotë se në vitin 2006 ka pritur në shtëpinë e tij ish-kryeministrin Sali Berisha. Ndërsa në vitin 2013 emërohet drejtor i Transporteve në Sarandë si shpërblim nga LSI për kontributin në fushatën e 2013-ës.

Mbi filmimet shumë të përfolura që tregojnë qëndrimet pranë resortit “Santa Quaranta” të disa ministrave të kabinetit "Rama", Balili ka provuar të hedhë dritë. Ndërsa sulmet nga ambasadori Lu, Balili i ka cilësuar si të ndikuara nga politika e brendshme dhe thekson se asnjëherë s’ka qenë i akuzuar apo kërkuar nga DEA për trafik të dogërave të forta.