Rusi, sulm me armë në një shkollë, humbin jetën 11 persona

11 Maj 2021, 10:34 | Përditesimi i fundit: 2021-05-11 15:58:43

Një sulm me armë ka tronditur mëngjesin e sotëm një shkollë në Kazan të Rusisë, duke u marrë jetën të paktën 11 personave, 10 nxënësve dhe një mësuesi.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se dy sulmues të paidentifikuar kishin hapur zjarr në një shkollë të mesme në qytetin Rus.

Të paktën 32 persona janë plagosur, katër prej të cilëve gjenden të shtruar në spitale. Video e postuar nga kanalet e lajmeve në Telegram tregojnë fëmijët që hidhen nga dritaret e shkollës nën tingujt e të shtënave. Dy studentë vdiqën pasi u hodhën nga një dritare e katit të tretë, njoftoi agjencia e lajmeve RIA Novosti.

Agjensia e lajmeve ruse Interfax theksoi se njëri nga sulmuesit, një adoleshent është vënë nën pranga ndërkohë që tjetri mund të gjendet ende në ndërtesë. 

Ndërkohë që arsyeja e sulmit është ende e paqartë. Një zëdhënës i zyrës së kryetarit të bashkisë  u tha gazetarëve se fëmijët nga shkolla dhe një kopsht fqinj ishin evakuuar pas sulmit me armë.