Rusmajli 'shpëton' ish-partinë e tij! KAS rrëzon Celibashin, pranon listën e koalicionit PD-AN me 222 kandidatë për deputetë

23 Mars 2021, 17:05

TIRANË- Partia Demokratike fiton betejën e parë ligjore dhe juridike në KQZ për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo falë votës së ish-ministrit të tyre, Ilirjan Rusmajli, edhe pse demokratët i dogjën mundësinë për të marrë drejtimin e KQZ-së.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar në mbledhjen e sotme vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi i cili i shkurtoi listën e kandidatëve për deputetë koalicionit PD-AN. KAS vendosi të pranojë listën me 222 kandidatë për deputetë të koalicionit PD-AN.

Me 3 vota pro dhe 2 kundër, iu dha të drejtë demokratëve me argumentin se për aq kohë sa Kodi Zgjedhor nuk e ka përcaktuar numrin maksimal të kandidatëve, nuk është kompetencë e komisionerit që të përcaktojë numrin e kandidatëve. I njëjti argument i sjellë në KAS edhe nga PD-ja, e cila përfaqësohej nga Sekretari për çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso, ndërsa PS-ja me anë të Eridjan Salianjit është shprehur se kjo listë cenon barazinë e garës.

Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku ka mësuar se kanë votuar pro Ledio Braho, Elvis Çefa dhe Ilirjan Rusmajli, i cili ka "shpëtuar" ish-partinë e tij. Ndërkohë, kundër kanë votuar Koli Bele dhe Elvin Lako.

Një vendim të tillë, Kaso e cilësoi si fitoren e parë të demokratëve. Pyetur nëse kjo përbën një garë të drejtë, ku PD me aleatët e saj garojnë me më shumë kndidat, Kaso tha se ato nuk kanë bërë gjë tjetër veçse të respektojnë ligjin. PD-ja ka dërguar 222 emra në total nga 153 emra që lejohet.