Sarandë/ Iu kërkua të ulë muzikën në lokal, kryekamarieri refuzon dhe shtyn efektivin, policët e ‘mbërthejnë’

16 Maj 2021, 10:30

Tashmë që nis sezoni turistik, kufizimet e orës policore kanë sjellë përplasjet e para! Një përplasje mes policisë dhe kryekamerierit të një lokali ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Sarandë për shkak se ky i fundit ka refuzuar të ulë zërin e muzikës në lokal pasi ka kaluar ora 20:00.

Videoja e publikuar nga Report tv tregon si ndodh përplasja në momentin kur në orën 20:13, efektivët e policisë shkojnë në një lokalet në rrugën Turizëm–Kanali i Çukës në Sarandë, duke kërkuar uljen e muzikës.Kryekamarieri nuk ka pranuar ta ulë muzikën duke pretenduar se është brenda orarit të lejuar, por jo vetëm kaq pasi situata ka agravuar sepse ai ka shtyrë me duar një prej efektivëve. Në këtë moment kanë ndërhyrë edhe efektivët e tjerë dhe kanë marrë nga krahët për ta shoqëruar në komisariat.