Seanca tek Krimet e Rënda, Lul Berisha përballet në gjyq me atentatorin nga Kosova

6 Dhjetor 2018, 16:51

TIRANË- Është paraqitur në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda në seancën gjyqësore ndaj atentatorit të tij, Lul Berisha. Në seancën e fundit ndaj Ahmet Ajetit, Berisha u përfaqësua nga avokati i tij Detar Hysi, ndërkohë që avokati i Ajetit, Saimir Visha kërkoi gjykim të shkurtuar por kërkesa u refuzua nga gjykata.

Në seancën e sotme pritet përveç Lulëzim Berisha të dëshmojë edhe Adriatik Coli, Sardian Sulejmani dhe Endrit Dokle. Ndër këta dëshmitarë, Coli është i penduari i drejtësisë dhe prej vitesh është nën ruajtjen e shtetit me status të veçantë. 

Seancat gjyqësore tek Krimeve të Rënda kanë dështuar disa herë radhasi,  pasi nuk është bërë i mundur njoftimi i Lul Berishës. Sipas motrës së tij, ai nuk ishte në Shqipëri por referuar të dhënave të sistemit TIMS Berisha rezultonte brenda vendit.

Ahmet Ajeti u ekstradua nga Interpol Tirana më 20 korrik nga Prishtina në Rinas dhe nga ajo ditë mbahet i izoluar në qelitë e burgut 313 në Tiranë. Dyshohet se ekzekutimin e Lulzim Berishës, Ajeti do ta bënte për llogari të grupeve rivale të cilët një dekade më parë përplaseshin mes tyre. Vetë Lulzim Bershia kreu disa vite burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal ndërsa u lirua me kusht nga drejtësia shqiptare.

Ngjarja e vitit 2005, çfarë ndodhi në Durrës

Personi që u ekstradua nga Kosova, Ahmet Ajeti, tentoi të vriste Lul Berishën në 30 gusht të vitit 2005. Ahmet Ajeti dhe Osman Korpuzi u nisën me porosi nga Tirana drejt Durrësit me porosi nga dy persona për të vrarë Lul Berishën. Në afërsi të kafenesë ku ndodhej Lul Berisha, Ajeti u konfliktua me disa persona të tjerë dhe në konfortim e sipër ka plagosur veten e tij me pistoletë.