Presidenti i SHBA, Joe Biden ka nxjerrë një urdhër të ri ekzekutiv që përfshin edhe Shqipërinë, ku parashikon bllokim pasurie për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e korruptuar që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Kjo duket si një goditje tjetër për ish kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij pas shpalljes "Non Grata" pak ditë më parë nga SHBA. Sipas këtij urdhri, Berisha dhe familja e tij rrezikojnë t'u bllokohet pasuria që kanë në SHBA. Por nuk është vetëm Berisha ai që rrezikon nga ky vendin i Biden, pasi të shpallur "Non Grata" nga SHBA janë edhe ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla, Tom Doshi dhe Vangjush Dako.
Në një letër që Biden i dërgon Senatit dhe Kongresit bëhet fjalë për ndryshimin e një dekreti ekzistues në qershor 2001 që përfshinte ish-Jugosllavinë. Tashmë në të do të jetë përfshirë edhe Shqipëria. Në urdhërin ekzekutiv kërkohet Bllokimi i Pronës dhe Pezullimi i Hyrjes në SHBA të Personave të Caktuar, që Kontribuojnë në Situatën Destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Biden deklaron se persona të tillë përbëjnë një kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
“Në kuadër të situatës në territorin e ish Federatës Socialiste të Republikës së Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë në dy dekadat e fundit, përfshi cenimin e marrëveshjeve të pasluftës si dhe institucioneve pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe përhapja e gjerë e korrupsionit ne qeverite dhe institucionet e ndryshme në Ballkanin Perëndimor dëmton progresin kundrejt qeverisjes efektive dhe demokratike, integrimin e plotë drejt institucioneve transatlantike dhe kësisoj është një kërcënim i jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikave të jashtme të Shteteve të Bashkuara.


















