Shefi i Sigurisë Rrugore: Nga nesër do vihen në rrugë radarë të rinj, zgjidhje për 'shoferët hileqarë'

1 Korrik 2021, 23:10

Shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Skënder Ismaili ka bërë me dije se që nga nesër do të “hidhen” në rrugë një sërë radarësh të tjerë që do shërbejnë edhe për ato shoferë ‘hileqar’. Ai shtoi se për të ulur numrin e aksidenteve, po gjenden zgjidhje të tjera, qoftë edhe ndërhyrja në disa akse rrugore.

“Ne kemi rekomanduar dhe etnitë pronar të rrugës, për kufizime të shpejtësisë dhe në disa vende ka një sinjalistikë të shtuar horizontale të shtuar, në rrugën Milot Lezhë janë ndërhyrë në disa vende me etnin pronar për të ulur aksidentet, ndër masat kryesore nga nesër, në kemi futur dhe një sërë radarësh të tjerë. Nga nesër hidhen radarë të rinj një rrugë, do jenë të vendosur njëri-pas tjetrit, edhe për ata shoferë që kalojnë radarin apo patrullën e policisë dhe pastaj rrisin shpejtësinë. Do jenë edhe policë civile”, tha Ismaili.

Akuzave të shumta që i janë bërë policisë, pas aksidentit tragjik në aksin Fier-Vlorë që shoi një familje, Ismaili tha se efektivët nuk duhen sulmuar, pasi ato janë në krye të detyrës.

“Kanë qenë po ata policë që i kanë nxjerrë fëmijët e vdekur nga mjeti, ato kryejnë veprimet e para”, tha Ismaili në Report Tv.