Shehu i përgjigjet Manastirliut: S'mjaftojnë 2 laboratorë, të shtrihen edhe në qytete të tjera!

17 Mars 2020, 12:16 | Përditesimi i fundit: 2020-03-17 14:41:53

TIRANË- Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu i ka kthyer përgjigje deklaratës së bërë në '5 pyetjet nga Babaramo', Ogerta Manastirliu e cila tha se do të bëhet edhe një laborator dytë në QSUT. Në një lidhje me Skype për Report Tv, Shehu u shpreh se një gjë e tillë nuk mjafton, por duhet që të shtrihen në të gjithë vendin që të mos krijohet një kaos. Ai e ka përgëzuar vendimin e Ministrisë së shëndetësisë për të pezulluar koncesionin e check up, por theksoi se do ishte shumë e dobshme që ato laboratorë të vihen në funksion të kujdesit shëndetësor parësor, sipas së cilit është lënë gjithnjë pas dore. Duke u ndalur tek thirrja e Ministrisë së Shëndetësisë, Shehu tha se mjekët gjithnjë janë solidarizuar dhe absolutisht nuk ka ndryshim edhe në një situatë kaq të vështirë për vendin.

"Dy laboratorë nuk mjaftojnë në Tiranë, duhet edhe në Gjirokastër, Fier, Vlorë që të bëjnë një analizë horizontale të popullsisë që të plotësohet thirrja e fundit të OBSH.  Është një moment i vështirë, kjo nuk është vetëm për Shqipërinë për shëndetësinë shqiptare, që trashëgon disa elementë të mungesave defekteve të mëdha, qoftë nga numri i mjekëve 1 mjek për 1 mijë banorë, mungesa e pajisjeve. Mjekët shqiptar e kanë treguar mobilizimin, dhe kur janë diskriminuar. Aq më shumë sot, kur jo vetëm duhet të respektosh mjekët dhe të mbështetës sistemin shëndetësor shqiptar. (...)Kujdesi parësor sot e kemi lënë në plan të dytë, të vëmë në lëvizje kujdesin parësor. U bë shumë mirë që u pezullua check up, laboratorët e tij kalojnë kujdesit parësor. Mobilimi po ndodh dhe është për t'u lavdëruar, por duhet të vlerësohet të dëgjohen edhe mendimet. Mjekët shqiptar, kemi numrin më të vogël, sot pushohet nga puna një mjek se tha diçka se nuk i pëlqeu qeverisë. Duhet të jemi transparent, t'i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet që ka Shqipëria. Këtu nuk po flasin asnjë fjalë për farmacistët. Po punojnë në kushte të rrezikshme, stomatologët që kryejnë shërbime në kushte emergjente ", tha ai.