TIRANË - Dy jetë të humbura vetëm në 10 orët e fundit të prekur me koronavirus në Shqipëri. Një 71-vjeçar nga Kuçova ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në spitalin Infektiv në QSUT, ndërkohë mëngjesin e sotëm, ndbrroi jetë një 43-vjeçar nga Kavaja, ndërsa një 61-vjeçar nga Tirana i raportuar nga Ministria e Shëndetësisë i pajetë, në fakt ka pësuar vdekje klinike dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
71-vjeçari nga Kuçova i infektuar me koronavirus ishte trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”. Prej 7 ditësh ai ishte shtruar në spitalin Infektiv pasi u infektua edhe me koronavirus, nuk bënte pjesë tek pacientët që ishin në terapi intensive, por gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial, që i mori jetën. 71-vjeçari sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vuante nga disa sëmundje shoqëruese, kanceri në mushkëri, në stad tejet të avancuar, diabeti mellitus, fibrilacioni arterial dhe hipertensioni.
43-vjeçari nga Kavaja ndodhej në terapi intensive. Por pas rëndimit të gjendjes shëndetësore gjatë mbrëmjes u vendos në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk mundi të mbijetojë. Edhe 61-vjeçari ishte në terapi intensive dhe pas problemeve që iu shfaqen u vendos në respirator, ku në mëngjes pësoi vdekje klinike. Ai ka sëmundje bashkëshoqëruese, e ndërsa 43-vjeçari nga Kavaja, përveç obezitetit, nuk vuante nga sëmundje të tjera.
Ministria e Shëndetësisë në një reagim për mediat, "u shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerëve dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes".
Më 11 mars ndërroi jetë një 73-vjeçare nga Durrësi, ndërsa në 18 mars një 66-vjeçar nga Lushnja.
Ndërkohë që dje Shqipëria regjistroi numrin më të lartë të të prekurve me koronavirus gjatë 24 orëve, që nga dita ku u konfirmua pacienti 'zero', që u shërua bashkë me dy persona të tjerë, një prej të cilëve i ati i 28-vjeçarit. Nga 33 teste të kryera dje, 13 raste u konfirmuan pozitiv duke e çuar në total në 89 të infektuar. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se mosha mesatare e personave që kanë rezultuar pozitiv në Shqipëri është 48 vjeç, e ndërsa ajo e pacientëve të shtruar në spital, 54-vjeç. Për të parandaluar përhapjen vendi është në karantinë totale.Ministria e Shëndetësisë njoftim urgjent, u raportua i pajetë por 61-vjeçari pësoi vdekje klinike
Ministria e Shëndetësisë ka bërë një reagim urgjent duke sqaruar se 61-vjeçari i raportuar i vdkur me COVID-19, ka pësuar vdekje klinike. Pra 61-vjeçari nga Tirana nuk ka ndërruar jetë, por ndodhet në vdekje klinike, në gjendje të rëndë.
"Pacienti 61-vjeçar i raportuar nga spitali infektiv ka pësuar vdekje klinike, mjekët përpjekje të jashtëzakonshme për ta kthyer në jetë! Por gjendja mbetet tepër e rëndë!", njofton ministria e Shëndetësisë.