TIRANË- Shqipëria ka regjistruar mëngjesin e kësaj të diele të 22 marsit numrin më të lartë të të prekurve me koronavirus gjatë 24 orëve, që nga dita ku u konfirmua pacienti 'zero'. Nga 33 teste të kryera së fundmi, 13 raste janë konfirmuar pozitiv ditën e sotme duke e çuar në total në 89 të infektuar.

Korça i shtohet hartës së qyteteve të prekura me COVID-19, nga 7 në total, e ndërsa Tirana vijon të ketë numrin më të lartë të të infektuarve me 63 qytetarë. Në komunikimin e përditshëm, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se mosha mesatare e personave që kanë rezultuar pozitiv në Shqipëri është 48 vjeç, duke hedhur poshtë "mitin" se më të prekurit janë të moshuarit mbi 75-vjeç, e ndërsa ajo e pacientëve të shtruar, 54-vjeç. Pavarësisht se ditën e djeshme kanë lënë spitalin tre persona, numri i të shtruarve në spitalin Infektiv ka shkuar në 43 pacientë, 4 prej tyre janë në terapi intensive.

8 nga rastet janë nga Tirana, 1 nga Kavaja, 1 nga Durrësi (i vetëkarantinuar, vinte nga Gjermania) dhe 3 qytetarë nga Korça. Burime për Report Tv bëjnë me dije se çifti korçar, 76 dhe 75 vjeç janë infektuar nga mbesa e tyre që në 8 mars ishte kthyer nga Italia, e ndërsa rasti tjetër është i një 32-vjeçari, menaxher i një lokali shumë të njohur në qytet. Të tre ishin të izoluar në spitalin e qytetit, por gjendja e tyre shëndetësore pati përkeqësime e për pasojë u dërguan në Tiranë. Sa i përket Kavajës, është një 50-vjeçare, që nuk ka lidhje me dy rastet e kaluara. Sipas të dhënave, ajo nuk rezulton të ketë dalë jashtë shteti, në zonat e kuqe, për këtë arsye po zhvillohet një hetim epidemologjik, për të zbuluar si është infektuar, kjo edhe për shkak se familjarët e saj kanë rezultuar negativ në testin e parë.

Meshkujt vijojnë të jenë më të prekurit në Shqipëri, ku nga totali i rasteve të konfirmuara, 58% janë meshkuj dhe 42% janë femra.

Harta e qyteteve të prekura me koronavirus

Renditja e qyteteve më të prekura me COVID-19 në Shqipëri
Tiranë 63 qytetarë
Fier 8 qytetarë
Durrës 6 qytetarë 
Korçë 3 qytetarë
Kavajë 3 qytetarë
Lushnje 2 qytetarë
Elbasan 2 qytetarë
Rrogozhinë 2 qytetarë

Shifrat: 804 teste të kryera në total që nga konfirmimi i rastit të parë, 2 viktima, (në Durrës dhe Lushnje). 3 të shëruar, kanë lënë spitalin dhe janë në vetëkarantinim. 89 qytetarë kanë rezultuar pozitiv, 9 prej të cilëve personel mjekësor, një në Durrës (kontakti me viktimën e parë) 8 të tjerë spitali "Shefqet Ndroqi". 43 pacientë të shtruar tek Infektivi në QSUT. Tirana qyteti më i prekur, me 63 të infektuar. Mosha mesatare e të prekurve 48 vjeç

Ministria e shëndetësisë u bën sërish apel qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin sa më shumë kontaktet, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të këtij virusi, ndërsa ka rikujtuar edhe një herë dy numrat e kontaktit që janë vënë në dispozicion për qytetarët. Për ata që kërkojnë informacion apo këshilla në lidhje me COVID-19 duhet të telefonojnë në numrin 0800 40 40, e ndërsa për ata qytetarë që kanë shfaqur simptomë duket të marrin numrin e urgjencës 127.