VËZHGIMI/ Shqipëria në izolim total kundër COVID-19/ Tirana si shkretëtirë! Gjobiten 78 qytetarë dhe 2 biznese që thyen karantinën, një i arrestuar

Nga dita e djeshme, e shtune në orën 13:00, sot gjatë gjithë ditës deri nesër në 05:00 të mëngjesit, Shqipëria është në izolim total. Askush nuk lejohet të dalë nga shtëpia. Gjithçka është mbyllur, duke filluar nga supermarketet, farmaci e çdo biznes tjetër. Të vetmit në punë këtë të dielë, janë forcat e policisë dhe të ushtrisë në terren për të garantuar se askush nuk thyen shtetrrethimin, pjesëtarët e mediave dhe stafi mjekësor që po lufton çdo moment për jetët e personave të prekur nga COVID-19. Në të gjithë vendin janë gjobitur 78 qytetarë që thyen urdhrin, një u arrestua në Elbasan. Gjobës nuk i kanë shpëtuar as dy biznese që hapën dyert dhe 4 shoferë. 

Prej 9 marsit kur është identifikuar personi i parë me koronavirus në vendin tonë, pacienti zero që tashmë është drejt shërimit dhe mbrëmë rezultoi negativ në testin e kryer sërish, Shqipëria ka 76 të prekur, prej të cilëve 2 viktima. Ndërkohë, nga ora 05:00 e mëngjesit të së hënës do të vihet sërish në fuqi orari i lejimit të qarkullimit të këmbësorëve deri në orën 13:00, që siç tha kryeministri Edi Rama do të vazhdojë gjatë gjithë javës që vjen. Kryeministri Edi Rama i ka quajtur tradhtarë ata që do të shkelin shtetrrethimin të cilët sipas tij do të futen në listën e zezë.

Kështu, nga e hëna dhe deri në fund të javës, qytetarët kanë kohë 8 orë në ditë, nga 05:00 deri në 13:00 për të bërë pazaret e për të blerë ilaçet apo edhe për të mbyllur shërbimet e nevojshme në banka a institucione të tjera që këtë periudhë veçse me staf të reduktuar, po funksionojnë më së shumti online.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:48
Thyen karantinën! Gjobiten 78 qytetarë, një i arrestuar! 4 shoferëve u hiqet leja për 3 vite

78 qytetarë janë gjobitur pasi kanë thyer urdhrin për të qëndruar në shtëpi. Në bilancin e 12 orëve të fundit, policia thekson se 78 personat që kanë thyer karantinën janë gjobitur me nga 10 mijë lekë secili, pasi nuk respektuan masën për të qëndruar brenda deri nesër në orën 05:00. Ndërkohë që në Elbasan, një 24-vjeçar u arrestua në flagrancë, pasi kundërshtoi me dhunë  punonjësit e policisë, të cilët i kërkuan arsyen e daljes në rrugë. Gjithashtu 4 drejtues automjetesh janë kapur në shkelje në urdhrit dhe u është hequr leja e drejtimit për 3 vite. Ndërkohë që gjobave nuk u kanë shpëtuar as 2 administratorë subjektesh tregtare, pasi në kundërshtim me orarin kufizues, kanë hapur bizneset e tyre.

Ora 16:13
Kamera mbi autokolonën e ushtrisë! Shikoni pamjet nga rrugët e Tiranës (VIDEO)

Ushtria prej tre ditësh ka zbritur në rrugë në ndihmë të policisë për të përforcuar masat për të ndaluar shkeljen e rregullave nga qytetarët dhe daljen nga shtëpia me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Në terren për të ndjekur nga afër situatën ka qenë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ndërsa kryeministri Rama shkruan se ushtria po punon në dy fronte. "Forca të shumta ushtarake janë përfshirë në operacionin humanitar dhe krah për krah me policinë e shtetit, në mbrojtjen e popullit nga tradhtarët! Mirënjohje dhe respekt për forcat tona të armatosura" shkruan Rama. Ushtria vijon patrullimin në rrugë sikur duket edhe nga vëzhgimi.

Ora 15:36
Theu urdhrin për të qëndruar në banesë dhe kundërshtoi policinë! Arrestohet i riu në Elbasan

Arrestohet qytetari i parë që ka thyer rregullin duke dalë nga shtëpia. Në Elbasan është arrestuar një i ri që shkeli urdhrin për të mos dalë nga shtëpia duke thyer vetëkarantinimin. Madje sipas policisë, qytetari kundërshtoi me dhunë efektivët, por u arrestua në flagrancë.

I arrestuari është një 24-vjeçar me inicialet M.Ll, ai u kap gjatë patrullimeve për monitorimin e zbatimit të  këtyre masave, paraditen e sotme në lagjen “Vullnetari”, pranë vendit të quajtur "Ura e Zaranikes” duke lëvizur në këmbë.

Policia thotë se i ka kërkuar arsyen e daljes në rrugë dhe të moszbatimit të orarit kufizues për të qëndruar në banesë, por 24-vjeçari sipas bluve nuk ka dhënë arsye dhe ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë së skuadrës “Shqiponjat”.

Punonjësit e policisë e kanë neutralizuar dhe shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan 24-vjeçarin me inicialet M. LL. Tashmë ai do të akuzohet për "Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë së rendit publik” dhe materialet i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ora 15:01
E pazakontë/ Qytetari nga frika zvarritet poshtë makinës për t'i shpëtuar policisë...lezhjani shpëton për një qime (VIDEO)

Një pamje e pazakontë është regjistruar në një nga rrugët e kryeqytetit, ku një qytetarë i fshihet makinës së policisë, e cila kishte dalë në terren për të monitoruar urdhrin që ndalon qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve.

Nuk dihet ekzaktësisht data kur është filmuar video, por shihet që qytetari mban jelek fosforeshent, me shumë gjasa është punëtor. Ai zvarritet në tokë, pas një makine që patrulla e policisë aty pranë të mos e pikasë.

Nuk dihen motivet se përse ka bërë këtë veprim qytetarit, i cili mesa duket është në momente pune në ato momente, por duket se as nuk është ndërgjegjësuar që kjo gjë nuk bëhet për policinë apo qeverinë, por për shëndetin e tij dhe të familjarëve.

1584885809_djali.jpg

Ora 14:41
Tirana si shkretëtirë, në kryeqytet nuk dallohet as edhe një lëvizje (FOTO)

Kryeqyteti i shqiptarëve, Tirana, ditën e sotme, më shumë i ngjante një shkretëtire se sa një qyteti të populluar që në ditët e zakonshme lëvizin afërsisht 1 milionë njerëz. Në rrugët e kryeqytetit nuk mund të dalloje asnjë lëvizje, madje në krahasim me të shtunën kishte edhe më pak automjete të autoriteteve. Sot nuk ka qenë e nevojshme as të bëhet thirrje për të qëndruar në shtëpi, pasi vetë qytetarët e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj fraze. Në Bulevardin e Ri, rruga që të çon për te Dogana, te Liqeni apo në rrugë të tjera nevralgjike të qytetit nuk pipëtin as miza. E vetmja gjë që mund të shquash mund të jetë një ambulancë.

Ora 13:20
Në Durrës as edhe një lëvizje, qytetarët të gjithë të izoluar në shtëpi (VIDEO)

Durrësi ka zbatur në masën 100% rregullat e izolimit të vendosura nga autoritetet. Asnjë qytetar nuk dallohej ditën e sotme në rrugët e qytetit bregdetar edhe pse është e dielë. Të gjithë ishin të mbyllur në shtëpi, ndërsa lëvizja e vetme mund të ishte e dikujt të autorizuar, si media.

Ora 12:02
Lagjet e Beratit jo edhe aq të qeta, qytetarët largohen me shpejtësi sapo shohin gazetarin (VIDEO)

Berati ditën e sotme është dukur përgjithësisht i qetë ku në masë janë zbatur urdhrat për të ndenjur në shtëpi. Por ndryshe nga qytetet e tjera në brendësi të lagjeve lëvizjet nuk kanë munguar. Siç duket edhe në këtë video disa prej qytetarëve largohen në momentin kur afrohet automjeti me tw cilin po lwvizte gazetari, me idenë se mund të ishin autoritet. Bëhet fjalë për lagjet 'Donika Kastrioti' dhe 'Kushtrimi'.

Ora 11:41
Në Korçë, Elbasan dhe Lezhë nuk pipëtin as miza, zero lëvizje në rrugë (VIDEO)

Korça, Elbasani dhe Lezha u shtohen qyteteve të cilët po zbatojnë me përpikmëri urdhrat e autoriteteve për t'u izoluar. Siç duket e gjitha Korça është bosh. Rrugët, lulishtet dhe Parku Rinia janë të gjitha të boshatisura, ndërkohë që edhe numri i automjeteve të autorizuara është reduktuar ndjeshëm. Ashtu si në Korçë edhe në Elbasan lëvizjet janë pothuajse zero. Sakaq as Lezha nuk bën përjashtim. Në këtë qytet mbizotëron një qetësi absolute, ndërsa në rrugë mund të dallosh vetëm policinë dhe forcat ushtarake.

 

Ora 11:07
Rama duatroket shqiptarët në betejën e përbashkët kundër COVID-19, publikon videon domethënëse

Një falënderim duartrokitës ka ndarë kryeministri Edi Rama ndaj të gjithë shqiptarëve që po qëndrojnë në shtëpi në këto ditë të vështira për të gjithë ne, por edhe mjaft vendimtare, si "ilaçi" i vetëm ndaj përhapjes së COVID-19. Shoqëruar me ikonën e një zemre, kreu i qeverisë ka postuar në Facebook video nga gjithë qytetet e Shqipërisë, ku rrugët janë të boshatisura në zbatim të masave kufizuese të vendosura në këtë situatë emergjente për kombin. 

Ora 09:50
COVID-19/ E diela në shtëpi! Pamjet e rralla me dron nga qyteti i Fierit i boshatisur (VIDEO)

Fieri më në fund i është bashkuar atyre qyteteve që zbatojnë me rigorozitet rregullat e vendosura nga autoritet në lidhje me emergjencën e koronavirusit. Si asnjëherë nuk ka asnjë lëvizje në rrugë. Policia së bashku me ushtrinë janë vendosur në pikat kryesore të qytetit, ndërsa monitorohen me kujdes pikat hyrëse dhe dalëse.

Nga pamjet  me dron shihet qyteti i boshatisur, dhe një përshëndetje në fund nga të vetmit që janë jashtë, grupi i gazetarëve.

Ora 09:40
Shkodra e boshatisur, pëllumbat dhurojnë spektakël (VIDEO)

Pamjet që ofron Shkodra janë të një qyteti pa këmbë njeriu. Askush nuk ka dalë nga shtëpia duke zbatuar kështu urdhrin për izolim total gjatë së dielës. Nga pamjet e këtij mëngjesi shikohen vetëm grumbuj pëllumbash që i dhurojnë një pamje të magjishme qytetit të boshatisur.

Ora 09:33
Lushnja dhe Fushë Kruja bosh, asnjë qytetar në rrugët e qyteteve (VIDEO)

Dy qytete të tjera të Shqipërisë, Lushnja dhe Fushë Kruja, kanë zbatur në maksimum urdhrat për kufizimin e lëvizjeve si dhe të izolimit në shtëpi. Lajmet për shtimin e rasteve në vendin tonë, por edhe ata të kobshmet që vijnë nga Italia duket se kanë ndërgjegjësuar shqiptarët.

Ora 09:22
Policia e Shtetit apel qytetarëve: Respektoni, respektoni oraret dhe zbatoni këshillat për higjienën (VIDEO)

Duke publikuar pamje të një Shqipërie të zbrazët, ku nuk piptinte as miza, policia e shtetit ka ripërsëritur apelin drejtuar qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi.

"Në të gjitha rrugët e Tiranës e Kamzës. Punonjësit e Policisë së Shtetit në patrullim për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë , si dhe për monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të masave kufizuese. Pika kontrolli nga shërbimet e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, për zbatimin e masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Respektoni rregullat e kufizimit të qarkullimit me automjete, biçikleta e motomjete. Respektoni kufizimin e lëvizjes në këmbë, qëndroni në banesë deri të hënën në mëngjes, por edhe më mbrapa respektoni , respektoni , respektoni oraret kufizuese dhe zbatoni këshillat për higjienën. Ruani largësinë në makete, minimarkete e furra buke, por edhe në rrugë. Të mbrojmë njëri -tjetrin, të mbrojmë jetën. Durim e kontribut nga gjithsecili dhe do ia dalim", shkruan policia e shtetit.

Ora 09:16
Kukësi zbaton me përpikmëri rregullat, në rrugë vetëm policia dhe ushtria (VIDEO)

E diela e ka gjetur Kukësin në qetësi totale. Qytetit verilindor ka respektuar urdhërat e qeverisë për të ndenjur në shtëpi dhe për të kufizuar lëvizjet. Në rrugët e qytetit dallohen vetëm makinat e policisë së shtetit dhe mjetet ushtarake.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Zdf: 22/03/2020 18:21

    Te MBYLLEN plotesisht aktivitetet politike,,mitingje,mbledhje,,po ashtu sporti,; te mbyllen te gjitha kampionatet ne futboll,DHE TE GJITHA SPORTET etj,,po ashtu koncertet,,,deri ne fund te vitit,,2020,,keto jane gjera LLUKSI ,,JETOHET DHE PA TO,,,corona-virusi ne itali thone se erdhi nga ndeshja atalanta-valencia e mbajtur ne milano ne 19 shkurt,,nga tifozat spanjoll...c'na gjeti...

    Përgjigju
  • john: 22/03/2020 18:07

    he me o spinella, o laca me amg, o danoca me s klasa, ku jeni me??? ku jeni fut meee hajvana albanie???

    Përgjigju
    • Kafsha: 23/03/2020 10:10

      Ik ore fshatar plere laj hale ne Amerike!

  • lumturia: 22/03/2020 15:21

    NA kenaqe edi rama ,,,na rrofsh ,,keshtu na mbyllsh perhere...edhe 5 vjet Brenda rrime ,,,vec ju socialistet mos Iu zini me njeri-tjetrin…////

    Përgjigju
  • tani: 22/03/2020 13:50

    ME NE fund edhe zogjte kane pak qetesi..

    Përgjigju
  • eri: 22/03/2020 10:32

    RAMA IK

    Përgjigju
  • Xnxjxj: 22/03/2020 09:40

    Pse perseritet pamja nga 3-4 here? Apo keni kap 5 sec nje kend pa njerez e beni sikur ca duke e perseritur. Jeni amatore ne injorance.

    Përgjigju
    • Mire: 22/03/2020 17:51

      Po Pse gjithe fjale te liket mire beri pse Edhe kur mundohen njerezit prap per keq flasin ku ju djeg

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë