Shifrat e vdekjeve nga aksidentet janë të frikshme përsa i përket javës së kaluar, nga e hëna e 10 majit deri të dielën e datës 16 maj. Burime nga policia rrugore konfirmojnë për Report Tv se në shtatë ditë janë katër të vdekur si pasojë e përplasjeve nga aksidentet në të gjithë vendin. Në mesin e tyre është edhe përplasja fatale e Fatmir Avdillarit, i njohur si Xubi, në bulevardin “Migjeni” në Yzberisht.
Në vetëm shtatë ditë janë regjistruar 43 përplasje aksidentesh me 46 të plagosur lehtë, kryesisht shoferë por edhe pasagjerë. Mirëpo java e re ka nisur sërish me aksident me vdekje. 33-vjeçari Redi Karreci humbi jetën si pasojë e humbjes së kontrollit të automjetit.
Përplasja e rëndë ndodhi në fillim të rrugës “Sulejman Delvina”, shumë pranë shkollës “Vasil Shanto” rreth orës 01:30. 33-vjeçari po qarkullonte jashtë orës policore, ndërsa policia dyshon se ishte me shpejtësi tej normave të lejuara kur ka humbur drejtimin e automjetit. Përplasja ka qenë aq e fortë me trafik-ndarësen, saqë ka humbur jetën në vend.
Nga data 10 deri në 16 maj janë konstatuar:
11.000 mijë gjoba
506 gjoba për shpejtësi
600 gjoba për mos vendosje të rripit
1.485 gjoba për përdorim celulari
620 gjoba për mospërdorim kaske
2254 gjoba për parakalim të gabuar
50 gjoba për pije alkoolike
51 të arrestuar në total
21 të arrestuar në gjendje të dehur
30 të arrestuar pa leje drejtimi
Këto statistika të frikshme vijnë në një periudhë kur janë miratuar në Kuvend ndryshimet e Kodit Rrugor që parashikojnë ndër të tjera ashpërsim për të gjithë shkelësit e rregullave. Krahasuar me ngjarjet e kriminalitetit dhe vrasjet, numri i aksidenteve është shumë më i lartë.