Arrestohet ish kreu i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, i cili ishte në kërkim prej nëntorit prej vitit 2019 pasi gënjeu me formularin e dekriminalizimit. Ai u arrestua pasi u paraqit në gjendje të rëndë në spitalin privat Continental për shkak të diabetit. Sipas gazetarit Arsen Rusta kanë qenë vetë mjekët që kanë lajmëruar policinë se ai ndodhej i shtruar aty. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ndalimi i tij është bërë në spital ku po merr dhe mjekimin.
Edhe në njoftimin e policisë konfirmohet se ekzekutimi i vendimit penal është bërë në ambientet e spitalit privat në Tiranë, ku Kajmaku po trajtohet me ndihmë të specializuar mjekësore.
Kajmaku është shpallur në kërkim që prej 9 nëntorit 2019 dhe akuzohet për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.
Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri. Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së.
Fshehja e këtij rasti çoi në shkarkimin e tij dhe nisjen e hetimeve për Agim Kajmakun, por ai u largua duke u shpallur në kërkim nga autoritetet. Madje gjatë seancave në mungesë të tij Gjykata e Tiranës ka vendosur dhe masën e sigurisë 'arrest me burg' .
Kajmaku firmosi shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë Vorë, Laureta Omerni dhe Hekuran Brahimajn duke ushtruar funksionin pas mbarimit të mandatit, pasi iu hoq nga ana e KQZ-së.