Shokon me deklaratën Xhelal Mziu: Na i tregoni njerëzit e dyshimtë, do ta pësojnë njëlloj si ai i Elbasanit!

23 Prill 2021, 14:12

Tensionet e rritura ditët e fundit nga partitë e opozitës janë bërë shumë të rrezikshme. Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, simpatizant i PS-së, Partia Demokratike jo vetëm që nuk distancohet nga dhuna por justifikon vrasjen dhe nxit më shumë përplasje. Së fundmi ka qenë drejtuesi politik i Lulzim Bashës në Qarkun Dibër, i cili ka shokuar me deklaratën e tij.

Pasi organizoi dhe drejtoi një tjetër rast pengmarrjeje nga strukturat e armatosura të PD në Maqellarë të Dibër së bashku me kandidatin tjetër, Luan Haka dhe qindra militantë, Xhelal Mziu ka bërë thirrje për vrasje.  Ai garantoi militantët se kushdo që është i dyshuar do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit, duke iu referuar të ndjerit Pjerin Xhuvani. Ai jo vetëm ka pranuar vrasjen e bërë nga grupi i armatosur në Partinë Demokratike, por paralajmëron të tjera vrasje. 

"Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sonte në vazhdim çdo person që lëviz në lagjet tuaja mjaftoj një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit", ka tronditur Xhelal Mziu.

"Mbrëmë u vra njëri për shkak të shpërndarjes së parave, sot shpëtoi ky. Unë i bëj thirrje të gjithë banorëve të Dibrës që të dalin ta mbrojnë me gjak, me sëpatë, me drunj apo me çfarë të dalë përpara votën', tha ndër të tjera ai.

Por pas reagimeve të shumta në rrjet që shokuan qytetarët nga thirrja e Mziut, kryesuesi i PD-së në Dibër thotë se e ka bërë për shkak të emocioneve të momentit, ndërsa thekson se është kundër dhunës dhe kërkon ndjesë për këtë thirrje. Nga ana tjetër policia ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë për Xhelal Mziun, për veprën penale "Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës".

Lidhur me thirrjen e Mziut ka reaguar edhe ambasadorja amerikane e SHBA në Tiranë Yuri Kim, e cila vlerëson ndjesën e kandidatit për deputet dhe shton se ngjarja e Elbasanit nuk duhet të përsëritet dhe ditët e grupeve të armatosura me logo partie i përkasin të shkuarës së shëmtuar.