Carlo Bollino: Grupet paraushtarake të PD-së për të ''mbrojtur votën'', si një shekull më parë....

Carlo Bollino: Grupet paraushtarake të PD-së për të ''mbrojtur votën'', si një shekull më parë....

Ishte viti 1921, plot 100 vite më parë, kur në Gjermani lindën “Sturmabteilung” (SA), krahu paraushtarak nazist që i dha kontributin vendimtar një Adolf Hitleri të ri që të afirmohej në fillim si lider, pastaj të fitonte zgjedhjet derisa u bë Adolf Hitleri që e gjithë bota njeh. Zyrtarisht “SA” luftonin atë që Hitleri konsideronte si paligjshmëria në Gjermani, abuzimet, korrupsionin dhe kërcënimin e kthimit të komunistëve, por në të vërtetë, mbështesnin me arbitraritetin e veprimeve të tyre planet raciste dhe anti-sioniste të themeluesit të tyre delirant. Metodat me të cilat vepronin “SA” ishin të njohura në të gjithë Republikën e atëhershme të Vajmarit: lëviznin në skuadra, identifikonin nëpër rrugë armiqtë, i ndalonin, i kontrollonin, i rrihnin dhe në fund të “procedurave” të tyre ia dorëzonin forcave zyrtare të rendit. Ndonjëherë ndodhte që i vrisnin në vend.  

Saktësisht 100 vite më pas këtij kapitulli të tmerrshëm të historisë, në Tiranë lindin “SMV”, “Strukturat për Mbrojtjen e Votës” të krijuara nga Partia Demokratike. Askush nuk do të guxonte të krahasonte Lulzim Bashën ose Gazmend Bardhin me Adolf Hitlerin, por krahasimi është më pak kontradiktor nëse shohim ngjashmërinë me metodat dhe arbitraritetin e përdorur nga SA dhe SMV. SMV-të e 2021 në fakt, pretendojnë si 100 vite më parë të zënë vendin e verifikimit të gjykatës, lëvizin të armatosur dhe në grup, tejkalojnë kompetencat e policisë, patrullojnë personalisht terrenin në gjueti të “armiqve”, ndalojnë dhe kontrollojnë makinat e dyshimta duke marre peng shoferët, rrahin në vend ata që ata i konsiderojnë “fajtorë” dhe vetëm pastaj njoftojnë policinë. Në ndonjë rast, siç ndodhi dje në Elbasan, arrijnë deri aty sa të vrasin dhe të deklarojnë se e bënë për vetëmbrojtje. Ajo që e bën të gjithë këtë akoma më të rëndë duke transformuar një bandë të çfarëdoshme tepistësh, në një strukturë të rrezikshme paraushtarake, është se këta ish-policë veprojnë duke zbatuar urdhërat dhe planet politike të një partie politike që i paguan për këtë. I paguan dhe i mbron, edhe me kushtin për të thënë gënjeshtra. Gazmend Bardhi për shembull, dje deklaroi se njeriu i tij Arbër Paplekaj, anëtari i “SMV” që vrau militantin socialist Pjerin Xhuvani, ishte i autorizuar të lëvizte i armatosur. Në të vërtetë Paplekaj, ish-anëtar i RENEA, ishte i autorizuar vetëm të ruante pistoletën e tij Glock 19 (armë e RENEA) në shtëpi, pra, nuk mund ta mbante me vete gjatë patrullimeve për llogari të PD. Sot policia dhe prokuroria ndaluan të gjithë 10 anëtarët e skuadrës së armatosur të PD që mori pjesë në ekzekutimin në Elbasan dhe në pengmarrje të qytetarëve të ndaluar në posblloqet që bënin. Por, nuk ekziston edhe një përgjegjësi penale nga ana e kujt u ka besuar këtë detyrë të paligjshme? 


Fakti që anëtarët e bandës janë të akuzuar edhe për „pemgmarrje“, është një mesazh i qartë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë të ''SMV'' të shpërndarë në gjithë vendin: ndalimi i automjeteve private nëpër rrugë dhe pretendimi për t’i bastisur duke vepruar si të ishin policë, është një krim. Edhe kur pretendojnë se duan të provojnë shitblerje të votës. Në këtë rast, qëndrimi i vetëm ligjor është sinjalizimi i rastit në polici ose në autoritetet kompetente. PD dhe LSI janë të lira të vazhdojnë të jetojnë në një botë paralele, siç po bëjnë prej tetë vitesh, por në realitet Shteti është një dhe i vetëm, dhe ata nuk mund të ndërtojnë një tjetër paralel pse asnjë nuk është mbi ligjin.  

Kuptoj se mund të duket e rëndë të rikujtosh grupet paraushtarake naziste të 1920 për të përshkruar çmendurinë e skuadrave të armatosura të PD-së, por me gjithë përpjekjet, nuk arrita të gjej në historinë më të afërt asnjë shembull tjetër të krahasueshëm me këtë barbari politike në kohë demokracie. E vetmja gjurmë e një gjëje të ngjashme, janë skuadrat klandestine të ngritura nga Bashkim Gazidede mes 1996 dhe 1997, por ato atëherë ishin pjesë të një strukture zyrtare e Shtetit, edhe pse e devijuar, ndërsa bandat e Bashës, Berishës dhe Gazmend Bardhit, janë banda të armatosura private, që veprojnë në bazë të një ideologjie dhe për llogari të një partie. Gjendja bëhet akoma më e rënduar, pasi këto banda të jashtëligjshme, kanë mirënjohjen dhe mbështetjen e Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe të partisë së tij. Vetëm në diktatura mund të gjejmë shembuj të tillë, por në një diktaturë pritet, ndërsa që një e tillë të ndodhë sot, në demokracinë e plotë, të lë pa fjalë. Denoncimi i ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila pati kurajon të flasë hapur, nuk lë hapsirë për interpretime të tjera: ''Gjëra të tilla të tmerrshme sic janë grupet e paautorizuara për të mbrojtur votën e qytetarëve, kjo të mbetet pas në të shkuarën. Kjo është diçka e papranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe që aspiron të integrohen në BE''. Ndërsa Basha, Berisha dhe Meta na i ripropozojnë sot, në pranverë të 2021.

Shite-blerja e votave është krim zgjedhor i padisktueshëm, por ai duhet të ndëshkohet nëpërmjet drejtësisë, jo vetëdrejtësisë. 

Të shohësh ata tre furgonë të bardhë mbushur me burra të armatosur që me urdhër të Gazmend Bardhit dhe me paratë e Partisë Demokratike, patrullojnë rrugët e vendit në gjueti të kundërshtarëve politikë dhe kur i gjejnë i sekuestrojnë, i rrahin, i kërcënojnë apo i vrasin, është një skenë që do të mbetet në historinë e errët të vendit. Eshtë njolla e disatë në historinë e një partie që prej tetë vitesh udhëheq një fushatë destruktive vetëm e vetëm të kthehet në pushtet, dhe që tani, duke shpresuar të fitojë zgjedhjet, po vetë shkatërrohet përfundimisht. Nuk mund të besoj dhe nuk dua të besoj që populli demokratik që nuk pëlqen Edi Ramën në Qeveri, të pranojë ta zëvendësojë me burra si këta që organizojnë banda të armatosura të përbëra nga ish-policë ose kriminale për të ''rifituar demokracinë“. Korrupsioni, ku më shumë e ku më pak, prek të gjitha forcat politike, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Po bashkimi ''politikë dhe vdekje“ mbetet fatkeqësisht një ekskluzivitet historik i Partisë Demokratike dhe të ideologut të saj që jo rastësisht është mbiquajtur ''doktor vdekja“. Sjellja e tyre e dhunshme dhe arroganca e tyre, edhe në prag të këtyre zgjedhjeve, shfaqen të pakuptueshme: Eshtë sikur në këto tetë vite opozitë kanë gëlltitur një dozë të përditshme urrejtjeje dhe që sot, kanë fituar më në fund të drejtën hyjnore të rimarrjes së pushtetit, një vendim që në fakt i takon vetëm zgjedhësve. Por ata duan ta marrin me çdo kusht dhe sot e kuptojmë se per te arritur qellimin e tyre, jane të gatshëm që të pranojnë çdo gjë, edhe vrasjet..

xy/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • alfredi: 22/04/2021 20:49

    Si gjithmonë briland dhe shume i sakte ne vleresim dhe ne perngjashmerine e situatave.

    Përgjigju
  • andrea: 22/04/2021 19:02

    I ke vene pikat mbi i Bolino shqiptaret te jane mirenjohes perhere

    Përgjigju
  • Beni: 22/04/2021 18:21

    sigurisht, kur ai i pari ne krye sillet si dy shekuj me pare, pse os sillen dhe keta si nje shekull me heret

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston